Ushtria e Kosovës edhe në veri, Çeku: Do ruajë sovranitetin në të gjithë territorin
Ushtria e Kosovës do t’i ketë 8 mijë ushtarë dhe 4 njësi komanduese. Ministri i FSK-ës, Agim Çeku i prerë thotë për RTK-në se NATO nuk ka autoritet të marrë vendime për të ardhmen e FSK-ës.“Unë jam befasuar pak për interpretimin i cilin i është bërë. NATO nuk ka thënë ashtu. është e vërtetë që NATO-ja merr vendime bazuar në konsensus, NATO vazhdon ta mbështes FSK-në dhe NATO nuk ka autoritet të merr vendime për të ardhmen e FSK-ës ajo është vendim autonom i Institucioneve të Kosovës, është vendim i sovranit dhe veç Kosova mund të merr vendim. NATO-ja mund të merr vendim ta mbështes apo jo një zhvillim të tillë një projekt të tillë, por ne jemi të bindur që NATO-ja do ta mbështesë, sepse kjo është në interes edhe të NATO-s” thotë ai.I pyetur se pse nuk do të quhet ushtri por Forca të Armatosura, Çeku thotë se ky është një emërtim i njëjtë me ato të vendeve që janë pjesë e NATO-s.“Emri Kushtetues është dicka tjetër, çdo vend ka emërtim të ndryshëm, 18 vende të NATO-së nga 28 sa janë gjithsejtë, i quajnë Forca të Armatosura, por të gjitha për nga natyra, për nga misioni, për nga detyrat, për nga substancat janë ushtri, kështu që edhe Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë Ushtri dhe të gjithë do ta quajnë Ushtri.Asgjë më pak nuk do të ketë Kosova, apo asgjë më shumë nuk do të kishte pas po të quhej me emrin Kushtetues Ushtri. Ne do t’i kemi Forcat Tokësore që dikush i quan Ushtri, do ta kemi Gardën Kombëtare, do ta kemi Komandën e Logjistikës dhe Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës, pra 4 lloj të forcave dhe për këtë arsye quhet Forcat e Armatosura të Kosovës. Me këto ndryshime, edhe Ministria për FSK-në do të shendohet në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe do të jetë ministri e mbrojtjes me kompetenca, me strukturë e me detyra të ngjashme me çdo ministri të mbrojtjes në botë” tha Çeku.Ministri i FSK-së thotë gjithashtu se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kujdesen për ruajtjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës përfshirë edhe veriun.“Ne e kemi një vend, e kemi një Kosovë dhe e trajtojmë Kosovën si tërësi, pra do të kujdeset për ruajtjen e sovranitetit të tërë territorit të Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial në gjithë vendin”tha ai.