FRD: Buxheti i 2013-ës bazohet tek borxhi publik
Fryma e Re Demokratike ka reaguar sot për projekt-buxhetin e vitit 2013. Drejtuesi i departamentit të politikave ekonomike në FRD Alfed Çako, tha se ky projekt buxhet bazohet më shumë se kurrë tek borxhi publik, i cili zyrtarisht sot është në masën 62% të GDP.“Duke pasur parasysh koston e borxhit publik, me një rritje prej 125 milion dollarë nga viti 2008, duket se edhe në të ardhmen, financat publike do të vuajnë gjithmonë e më tepër nga rritja e borxhit që ka marrë qeveria e z.Berisha” tha Çako.Ai solli në vëmendje se gjatë dy mandateve të qeverisjes së maxhorancës së sotme ka një papunësi të lartë e mbi 40% të popullsisë në kushtet minimale të jetesës me më pak se 2 Euro në ditë.“Politikat monetare kanë nevojë të ndihmohen me instrumenta ligjorë e fiskalë me synim kreditimin më të lartë të ekonomisë në sferën private dhe jo në atë publike. Berisha sot po favorizon fitimet e një pakice të depozituesve të kamur kundër shumicës që ka nevojë për kreditim me interesa normale, - tha Çako, sipas të cilit, këto manovra kërkojnë që ta bëjnë atë menaxher të fondeve të kreditimit të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë, duke ja hequr këto fonde sektorit efiçent privat dhe duke i kanalizuar ato drejt sektorit burokratik e kleptokrat të administratës publike” tha ai.FRD gjithashtu konstaton se Prodhimi i Brendshëm Bruto është më i lartë nga ai zyrtar dhe se ka një ekonomi gri informale, pa llogaritur edhe ekonominë kriminale që vjen nga trafiqet e bota e krimit për shkak të mungesës së rendit. Ka një korrupsion dhe paaftësi të lartë në fushën e prokurimeve publike, në tenderat dhe ankandet publike.