Nishani i hedh ujë zjarrit: Nuk kemi interes të prekim integritetin e fqinjëve
Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e sidomos me vendet fqinje të saj si: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Me këtë deklaratë e ka përmbyllur takimin e IV Rajonal të Presidentëve në Mal të Zi, Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Gjatë një konference për shtyp Nishani është shprehur “se mbetemi të angazhuar për intensifikimin në vazhdimësi të dialogut politik midis vendeve tona, nëpërmjet vijueshmërisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë”.“Theksojmë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet katër vendeve tona, ku përparësi përbëjnë ndërtimi i një infrastrukture moderne, realizimi i projekteve të përbashkëta, krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, rritja e shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, infrastrukturës, etj. Cdo valë rritjeje apo krize ekonomike në kontinent natyrshëm reflektohet edhe në ekonomitë e vendeve tona” ka thënë më tej Nishani.Kreu i shtetit ka shprehur domosdoshmërinë e zgjerimit akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më të madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjetikës, informatikës, etj.“Në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Energjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global.Nënvizojmë rëndësinë për një promovim më të mirë të mundësive tona turistike, që do të bëjë të mundur shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve turistike jo vetëm nga qytetarët e vendeve tona, por edhe nga ata të vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës” tha ai.Në përfundim ai deklaroi se faktori shqiptar dhe minoritetet përkatëse të secilit nga të katër vendet tona i konsiderojmë ura të miqësisë, ku respektimi i plotë i të drejtave të tyre, arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin ne rajonin tone.“Ne besojmë se integrimi i plotë euroatlantik është në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe Bashkimit Evropian.Vlerësojmë se është e domosdoshme mbështetja e Kosovës në nismat dhe projektet rajonale dhe më gjerë; si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë” vlerësoi Presidenti Nishani.