Miratohet dekreti i Presidentit, Llalla: Sfidë, rritja e besimit te publiku

Adriatik Llalla, i cili është dekretuar nga presidenti Nishani për drejtimin e organit të akuzës e ka cilësuar si sfidë më kryesore në drejtimin e këtij incistitucioni kthimin e besimit të publikut në këtë institucion. Ndërsa tha se në prokurorinë shqiptare ekzistojnë prokurorë që merren si shembuj korrupsioni, por këta persona janë në pakicë dhe në këtë drejtim Llalla u angazhua në luftën me tolerancë zero ndaj këtij fenomeni.“Suksesi i kësaj sfide prioritare është edhe lufta ndaj fenomeneve anti-ligjore brenda institucionit të akuzës. Jam në dijeni të rasteve kur prokurorët në vend që të luftojnë krimin bëhen palë me të por megjithatë këto janë raste të veçanta. Këto raste njihen nga trupa e prokurorëve dhe qytetarëve dhe krijojnë idenë se përbëjnë shumicën. Prokurori i përgjithshëm duhet t`i marrë vendimet të pavarura nga krimi dhe politika dhe integriteti është arma kryesore e suksesit” theksoi Llalla.Por ndërsa ka folur në një seancë dëgjimore para Komisionit të ligjeve, ky Komision e ka votuar për në parlament vetëm me votat e mazhorancës dekretin e Kreut të Shtetit dhe me abstenimin e opozitës. Partia Socialiste e ka argumentuar votën abstenuese me faktin se dekreti është antikushtetues pasi është sjellë para përfundimit të mandatit të Kryeprokurores.Përfundimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është bërë pjesë e debatit politik disa mujor, ku opozita këmbëngul se Ina Ramës i përfundon mandati në muajin maj, ndërsa Presidenti dekretoi pak ditë më parë Adriatik Llallën për këtë post, 5 vjet pasi kryeprokuroja Ina Rama mori drejtimin e organit të akuzës.