Largohet nga Shqipëria "Meshari i Gjon Buzukut"
Pas 25 ditësh ekspozimi, "Meshari i Gjon Buzukut" , thesari më i vjetër i Gjuhës Shqipe ka lënë bosh vendin që i ishte rezervuar gjatë kësaj kohe në Bibliotekën Kombëtare.Nën masa të larta sigurie , mbyllur në një valixhe hermetike, vepra e Buzukut të madh është kthyer aty ku prehej prej shekujsh në Vatikan.Edhe pse jo ende një shifër zyrtare sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, ekspozita ka shënuar një numër prej afro 20.000 vizitorësh nga Shqipëria dhe diaspora, kulmi i të cilëve është shënuar në datën 28 Nëntor.Kjo është hera e parë që libri i parë në gjuhën shqipe u bë i prekshëm nga sytë e publikut Shqiptar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Meshari i Gjon Buzukut që njihet si libri i parë shqip, mendohet se është shkruar në vitin 1554 dhe është botuar një vit më vonë. Ai ka 188 faqe dhe i mungojnë 16 faqet e para, përfshi kopertinën dhe disa faqe në mes. Duke mos patur kopertinën dhe faqet e para, nuk dihet titulli i vërtetë dhe as vendi i botimit.