100-vjetori i pavarësisë, liderët botërorë urojnë kryeministrin Berisha

Personalitete të larta të politikës botërore kanë uruar kryeministrin Berisha me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.Kryeministrin e kanë uruar, Presidenti i Komisionit Evropian Manuel Barroso, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, Kryeministri turk, Recep Tayip Erdogan,  Kryeministri bullgar Boyko Borisov, Kryeministri rumun Victor Ponta, Kryeministri i Republikës së Sllovakisë Robert Fico, kryeministri i Republikës së Çekisë Petr Necas, Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic, Kryeministri japonez Yoshihiko Noda, Kryeministri i Republikës së Kinës, Ëen Jiabao, Kryeministri i Ukrainës  Mykola Azarov, Kryeministri rus D. Madvedev, Komisioneri per Zgjerimin ne BE Stefan Fule, si dhe shumë personalitete të tjera.Në mesazhet e tyre drejtuar kryeministrit Berisha dhe popullit shqiptar ata shprehin urimet me te mira për këteë jubile të rëndësishëm të shtetit shqiptar, angazhimin e tyre për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore  dhe të bashkëpunimit mes vendeve si dhe besimin dhe dëshirën që Shqipëria të ecë përpara në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit evropian.“Jam i sigurt se kjo nuk do të jetë vetëm një ngjarje e gëzueshme që do të përkujtojë historinë e pasur të vendit tuaj, por njëkohësisht një inkurajim për kombin tuaj të marrë hapat e nevojshme për të vazhduar më tej në rrugën europiane, ndaj të cilës Komisioni Europian mbetet i angazhuar fort.” shprehet në urimin e tij, Presidenti i Komisionit Evropian Barroso.Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton ne mesazhin e saj ndër të tjera thekson: “I dashur zoti Kryeministër, Faleminderit për ftesën tuaj për të marrë pjesë në përvjetorin e 100 të pavarsisë së Shqipërisë. Gjatë vizitës sime pak kohë më parë në Tiranë pata nderin e madh ti drejtohem Kuvendit të Shqipërisë dhe të uroj popullin shqiptar për përvjetorin e njëqindtë të pavarsisë së vendit tuaj. Ky është një momënt historik për Shqipërinë, të cilin unë shpresoj që Parlamenti do ta përdorë për të cuar përpara integrimin evropian të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm për të vazhduar dialogun mbi cështje që janë të rëndësishme për një të ardhme demokratike dhe të begatë të Shqipërisë".Duke vlerësuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve e popujve, Kryeministri kinez shprehet: “Një miqësi e thellë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë është një pasuri e përbashkët e popujve në të dy anët. Vitet e fundit kanë dëshmuar besim politik reciprok të shëndosh midis të dyja palëve dhe dy vendet kanë arritur rezultate pozitive në bashkëpunimin ekonomik, tregtar, kulturor dhe të tjera. Kina është e gatshme të punoj me Shqipërinë, bazuar në miqësinë tradicionale dhe besimin reciprok politik, për të promovuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe për bashkëpunim më të frytshëm dhe pragmatik dhe për të çuar marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë.”Kryeministri rus D.Medvedev ndër të tjera, në mesazhin e tij uron qytetarët shqiptarë për mirëqenie dhe prosperitet: “Pranojini urimet më të ngrohta me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë – Ditës së Flamurit. Jam i bindur se marrëdhëniet ruso-shqiptare, që kanë një histori të pasur dhe tradita të mira, do të zhvillohen edhe në të ardhmen për të mirën e të dy popujve tanë, në interes të sigurimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë, në përgjithësi. Ju uroj, Zoti Kryeministër,suksese në veprimtarinë Tuaj, kurse të gjithë qytetarëve të Shqipërisë miqësore – mirëqenie dhe prosperitet.” shprehet ai.Duke vlerësuar rrugën e Shqipërisë drejt demokracisë dhe zhvillimit, Kryeminstri turk Recep Tayip Erdogan shprehet: “Dëshiroj të përsëris mbështetjen tonë të fuqishme për vizionin e integrimit me Evropën të ndjekur nga Shqipëria, e cila ka bërë përparime që duhen vlerësuar në rrugën e demokracisë dhe të zhvillimit.  Me këtë rast në emrin e popullit tim, të qeverisë sime dhe në emrin tim personal ju shpreh urimet e mia më të mira për begatinë, lumturinë dhe mirëqenien Tuaj dhe të popullit vëlla shqiptar, duke uruar që të arrijmë të fuqishëm dhe në mirëqenie njëqindvjetor të tjerë.”Me urimin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve, kryeministri japonez Yoshihiko Noda shprehet mes të tjerave: “Dëshiroj të shpreh urimet e mia të sinqerta në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi ka kaluar periudha të vështira pas pavarësisë, Shqipëria është bërë një vend anëtar në NATO, që angazhohet aktivisht duke dhënë kontribute në shkallë ndërkombëtare. Për më tepër, Shqipëria në mënyrë të qëndrueshme ka ndërmarr reformat ë brendshme drejt anëtarësimit në BE. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, unë uroj shumë që marrëdhëniet midis Japonisë dhe Shqipërisë të zhvillohen dhe thellohen më tej.”Duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve, si dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, kryeministri bullgar Boyko Borisov shprehet: “Më lejoni të shpreh kënaqësinë time për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona, të cilat kontribuojnë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Rajon. Unë kam besim se Shqipëria do të vazhdoj të lëviz përpara në rrugën e të ardhmes dhe prosperitetit të saj europian me të njëjtën vendosmëri dhe besim më të cilin populli shqiptar fitoi pavarësinë e tij 100 vjet më parë. Unë dëshiroj t’ju siguroj juve për mbështetjen tonë të sinqertë për integrimin evropian të vendit tuaj dhe të shpreh bindjen time se marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit.”Me premtimin se vendi i tij do të vazhdoj të mbështesë Shqipërinë në përpjekjen e saj për t’u bërë një vend anëtar i BE, Kryeministri çek Petr Necas shkruan në urimin e tij: “Ju shpreh juve dhe popullit të Republikës së Shqipërisë, urimet e mia më të sinqerta me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe 100 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Më lejoni të shpreh bindjen time të fortë se marrëdhëniet tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston midis Republikës Ceke dhe Republikës së Shqipërisë do të vazhdojnë të thellohen në përfitim të të dy vendeve. Përsa i përket procesit të Integrimit në BE, Republika Ceke do të vazhdoj të mbështesë Shqipërinë në përpjekjen e saj për t’u bërë një vend anëtar i BE”Duke shprehur mbështetjen e vendit të tij në proceset e integrimit, kryeministri sllovak Robert Fico shprehet në mesazhin e tij: “Përgjatë këtyre njëqind viteve vendi juaj ka kaluar zhvillim domethënës në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore dhe ka arritur progres të jashtëzakonshëm. Para pak kohësh Shqipëria është anëtarësuar në Aleancën Atlantike dhe po i afrohet Bashkimit Evropian. Anëtarësia në këto organizata është shumë e rëndësishme për paqe, demokraci dhe stabilitet për të gjithë rajonin dhe Evropën. Njëkohësisht në këtë rast festiv, Shkëlqesia Juaj, doja t’Ju siguroja për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Sllovakisë në procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, si dhe për gatishmërinë për të ofruar ndimë, përfshirë këtu edhe eksperiencat nga procesi i transformimit dhe integrimit.Duke vlerësuar reformat gjithëpërfshirëse, me qëllim integrimin evropian, kryeministri rumun Victor Ponta thekson në mesazhin e tij: “Progresi që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre 100 viteve, duke u bërë një aleat i besueshëm i NATO-s dhe një shtet plotësisht i angazhuar në një proces reformash gjithëpërfshirëse për integrimin në Bashkimin Europian, është i pamohueshëm. Rumania ishte një mbështetëse e fortë e integrimit euro atlantik të Shqipërisë dhe do të vazhdoj të asistojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, unë kam besim se qeveritë tona do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në përfitim të dy kombeve tona, duke kontribuar kështu në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.”Me besimin se forcimi i bashkëpunimit mes vendeve, i shërben mirëqenies së popujve, Kryeministri i Ukrainës shkruan: “Në emër të qeverisë së Ukrainës dhe në emrin tim ju uroj për 100 vjetorin e pavarëisë së Republikës së Shqipërisë. Unë jam i bindur që zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve reciprokisht të dobishme midis Ukrainës dhe Shqipërisë, veçanërisht në bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, do të kontribuoj në përmirësimin e mirëqenies së popujve tanë dhe do të jetë një bazë e besueshme për kursin drejt integrimit evropian për shtetet tona.”Me dëshirën dhe besimin për të ardhmen e përbashkët evropiane, Kryeministri serb Ivica Dacic shkruan: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, t’ju shpreh në emër të Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe në emrin tim, urime të përzemërta dhe urimet më të mira për progresin dhe prosperitetin e vendit tuaj. Kam besim se, nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta, ne do të jemi në gjendje të kontribuojmë në intensifikimin e dialogut politik dhe promovimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona me qëllim që të stabilizojmë më tej rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të përkthejmë në realitet vizionin e përbashkët për të ardhmen tonë europiane.”