Al Khelaifi: Messi nuk vjen te PSG

Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser Al Khelaifi, mohoi faktin se ka pasur kontakte me argjentinasin Lionel Messi apo me Barcelonën, duke përgjënjeshtruar kështu zërat që flasin për një kalim të Messit në Paris verën e ardhshme. Në një intervistë për të përditshmen franceze "Le Parisien", katarioti deklaroi se për momentin është i pamundur një nënshkrim me Messin, pasi këtë gjë nuk e lejon as Fair Play finaciar. Ishin këto fjalët e Al Khelaifit për të përditshmen franceze."Messi është një lojtar fantastik. Kam lexuar në ditët e shkuara se ai mund të transferohet te PSG. Nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Messin. Nuk kam folur asnjëherë as me Barcelonën. Për momentin kjo është diçka e pamundur, Messi kurrë nuk do të transferohet në Paris sepse edhe ne kemi limite. Jam i lumtur me skuadrën aktuale, lojtarët më të mirë aktualisht janë te PSG".Me këto fjalë Al Khelaifi hodhi poshtë zërat që flisnin se parizienët do të paguanin shumën marramendëse të 250 milion Eurove për të nënshkruar me argjentinasin. Ndërkohë që Al Khelaifi konfirmoi potencialin ekonomik të ekipit të tij duke shtuar se Paris Saint Germain për momentin është klubi i pestë më i pasur në botë, por mohoi faktin se kjo ngjitje kaq e lartë në renditje ka të bëjë vetëm me paratë që kanë ardhur nga Katari, pasi sipas tij klubi parizien ka rritur përfitimet me 60%, brenda një viti të vetëm.