Falcao: Do të bëj maksimumin për të shkuar në Brazil
Sulmuesi kolumbian, Radamel Falcao, është shprehur se do të bëjë gjithçka për t'u rikuperuar në kohë rekord dhe për të qenë i pranishëm në Kupën e Botës me kombëtaren e Kolumbisë. Ai u dëmtua në ligamentin e këmbës së majtë gjatë ndeshjes së Kupës së Francës kundër Chasselay. Falcao iu nënshtrua operacionit duke nisur kështu fazën e rikuperimit. 27-vjeçari, i cili u operua në Oporto shpreh bindjen se kjo fazë do të kalojë shumë më shpejt se sa është parashikuar."Është herët të flasim për këtë por besoj se mundësitë janë 50 me 50. Doktorët më kanë thënë se kam mundësi. Dua të jap maksimumin çdo ditë për të qenë i pranishëm në Kupën e Botës".Falcao ka luajtur për Porton deri në vitin 2011 dhe më pas u transferua në Spanjë te Atletico Madrid nga ku u largua për te Monaco. Ai do të qëndrojë nën përkujdesjen e mjekëve edhe për tre javë dhe më pas mund të nise ushtrimet fizike."Ky është një moment shumë i rëndësishëm në karrierën time dhe nuk e mendoja se një dëmtim i tillë do të më pengonte vetëm pak muaj përpara botërorit. Gjithsesi unë po mundohem të mësoj shumë nga kjo situatë për t'u rritur edhe më shumë si sportist dhe si njeri. Kam besim se do të dal më i fortë nga kjo situatë".Falkao është një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës së Kolumbisë e cila bën pjesë në Grupin C, së bashku me Bregun e Fildisht, Greqinë dhe Japoninë.