Fitojnë Atletiko dhe Barcelona, mbajnë kreun

Barcelona dhe Atletiko Madrid i janë përgjigjur në mënyrën më të mirë Realit të Madridit duke fituar takimet e tyre dhe duke u ngjitur sërish në krye të klasifikimit. Blaugranët mposhtën në fushën e tyre Malagan me rezultatin 3-0.  Gerard Pique, Pedro Rodriguez dhe Alexis Sanchez shënuan golat e fitores. Do të ishte një tjetër ndeshje në të cilën Leonel Messi nuk do të shënonte por në fushën e lojës Tata Martino i ka kartat për të fituar edhe pa të në formë.Qendërmbrojtësi Gerard Pique, kaloi vendasit në avantazh pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë kur shënoi nga pranë portës pas një topi të devijuar me kokë nga Dani Alves. Pas pushimit të ndeshjes do të ishte Pedro Rodriguez që dyfishoi rezultatin për Barcelonën. Në fund do të ishte Aleksis Sançez që do të shënonte golin vendimtar për fitoren e pastër 3-0.Edhe Atletiko Madrid nuk ka gabuar këtë fundjavë teksa ka marr një fitore mjaft të bukur me Rajo Valekanon në transfertë. Los Kolçoneros nuk kërkonin të humbnin vendin e dyte me Realin që tashmë është kërcënueshëm pas tyre.Skuadra e Diego Simeone zhvilloi një lojë mjaft të mirë. David Villa kaloi Atleticon në avantazh pas vetëm tetë minutash lojë. Vensasit do të reagonin menjëherë teksa katër minuta do të kishin një mundësi të artë nga 11-metërshi me Jonathan Viera që gabon duke mos arritur të shënojë.  Mesfushori turk, Arda Turan, shënoi golin e dytë në minutën e 30-të, duke dyfishuar avantazhin e miqve, ndërsa Vieira e ngushtoi disavantazhin për Rayon. Pak para përfundimit të pjesës së parë Turan do të shënonte një tjetër gol për ta dërguar skuadrën e tij me dy gola avantazh në dhomat e zhveshjes.Në pjesën e dytë Diego Costa shënoi 15 minuta para fundit duke i siguruar fitoren miqve ndërsa më pas do të vinte dhe një gol nga Joaquin Larrivey i cili realizoi për Rayon duke vendosur rezultatin përfundimtar të takimit. Pas javës së 21-të Barcelona mban kryesimin me 54 pikë të barabarta me Atletico Madridin, por me golaverazh më të mirë dhe një pikë më shumë se Real Madrid.