Bashkia e Kukësit paralajmëron debitorët: Do t’ju denoncojmë

Çdo subjekt, i cili nuk ka shlyer taksat do t'i bllokohen llogaritë banakare dhe të gjitha pasuritë. Në këtë mënyrë Bashkia e Kukësit ka dhënë ultimatumin e saj ndaj atyre që janë borxhlinj të vendorit. Ky vendim ka ardhur pasi subjektet që në 2010 e deri më tani nuk kanë shlyer detyrimet që kanë ndaj Bashkisë së këtij qyteti.Drejtori i të ardhurave në Bashkinë e Kukësit, Pajtim Duraku,thotë se janë më shumë se 20 institucione, të cilat nëse nuk paguajnë do dërgohen në Prokurori, pasi i ngarkuan faturë financiare Bashkisë që arrin rreth 30 milion lekë. Këto taksa kanë të bëjnë me shërbimet që pushteti lokal i'u ofron këtyre dikastereve, shërbime që lidhen me pastrimin, gjelbërimin, ndriçimin etj.Ndaj bashkisë së Kukësit, nuk janë debitore vetëm institucionet shtetërore lokale, por edhe ato qëndrore, siç është Ministria e Arsimit, Mirëqënies Sociale e Rinisë, Ekonomisë, Financave etj. Ndërkohë që pas nuk mbeten edhe qytetarët e Kukësit, të cilët nuk shlyejnë taksat dhe tarifat vendore që ligji parashikon në çdo fillimvit.