Autostrada Fier – Lushnje, banorët: Nuk është bërë studimi i zonës

Shirat e rënë gjatë ditëve të fundit, kanë shkaktuar probleme edhe në qytetin e Fierit, ku si pasojë është bllokuar qarkullimin e mjeteve, në autostradën Lushnje- Fier.Shkak është bërë përmbytja në pjesën fundore të kësaj rruge, në segmentin në dalje të autostradës, ku dhjetra mjete janë bllokuar ndërsa dëmet që janë shkaktuar janë të mëdha. Dhjetra drejtues mjetesh por edhe familje siç shprehen banorët e zonës kanë qenë të detyruar të kalojnë natën në ambjentet e lokaleve ndërsa në orët e para të ditës mjetet e bllokuara  nga uji, janë tërhequr me karrotrec. Banorë dhe drejtues mjetesh pohojnë se gjendja është e tillë prej vitesh.Kjo pjesë është devijuar në momentin e ndërtimit të rrugës, ndërsa autostrada, këtu  vjen në ulje duke  u përmbytur sa herë bie shi. Policia rrugore të vetmet masa qe merr, janë bllokimi i qarkullimit në këtë pjesë rruge, nga dalja e Fierit, dhe kalimi i tyre në një pjesë të aksit të vjetër rrugor, devijim që njihet jo nga të gjithë drejtuesit e mjeteve të cilët në shumicën e rasteve përfundojnë në rrjetën e ujit, që është shembull për mënyrën si është kryer studimi i ndërtimit të këtij aksi rrugor kaq të rëndësishëm për rajonin e jugut.