Gjirokastrës “i ikin banesat”, shtëpia e Dobatëve drejt rrënimit, asnjë masë shpëtimi
Dikur ka qenë mbretëresha e qyteteve Muze në vendin tonë, por sot për fat të keq madhështia e saj po zbehet ndërsa vlerat artitekturore dhe banesat karakteristike po i humbet një nga një çdo ditë. Bëhet fjalë për qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku një tjetër banesë me status Monument Kulture që nga banorët njihet si hamami, është drejt rrënimit përfundimtar të saj.Banesa karakteristike, e ndodhur pranë zonës së 7 krojve, në zemër të qendrës muzeale, sot është tërësisht e amortizuar, ndërsa rasat e çatisë vazhdojnë të shkëputen dita-ditës, duke u kthyer në rrezik serioz për jetën jo vetëm për familjen që jeton aty, por edhe për kalimtarët e shumtë në këtë pjesë të qytetit.Mirëmbajtja e një banese të tillë në mënyrë kategorike kryhet vetëm nga investimet dhe fondet që akordohen nëpërmjet degës së Monumenteve, pasi vlera e tyre është tepër e lartë dhe e papërballueshme nga banorët, të cilët prej 20 vitesh nuk kanë ndier dorën e institucioneve përgjegjës të ndërhyjnë në këto banesa, të cilat sëbashku edhe me stilin e ndërtimit të qytetit e kanë listuar Gjirokastrën në UNESCO.Pak ditë më pare, një tjetër banesë karakteristike e kategorisë së parë, ajo e Hadërajve, u shemb si pasojë e mungesës së investimeve dhe ndërkohë që fatin e saj duket se do ta kenë edhe të tjera shtëpi karakteristike në këtë qytet.Për vlerat e Gjirokastrës, Bashkia e këtij qyteti, dega e Monumenteve dhe shoqata të ndryshme, disa herë kanë organizuar tryeza të cilat janë mbyllur përherë pa dhënë asnjë zgjidhje konkrete, përveçse hipokrizisë së përcjellë jo vetëm tek qytetarët gjirokastritë, por edhe turistët e shumtë të cilët përballen me një qytet që po humbet vlerat dhe është renditur në krye të listës për tu përjashtuar nga organizata UNESCO për papërgjegjshmërinë që pikërisht këto institucione kanë treguar për ruajtjen e vlerave, trashëgimisë dhe arkitekturës në një qytet si Gjirokastra.