“Phoenix Petroleum” përgënjeshtron: Marrëveshja Hidrokarbure me Albetrol, e paprishur
“Phoenix Petroleum” me anë të një deklarate për mediat ka përgënjeshtruar lajmin se shoqëria Albpetrol sh.a ka vendosur mbylljen e Marrëveshjes Hidrokarbure me të.Në këtë deklaratë “Phoenix Petroleum” ka ftuar administratorin e Albpetrol sh.a të zbatojë me seriozitet detyrimet ligjore dhe kontraktuale, të ndërpresë menjëherë fushatën dezinformuese kundër shoqërisë dhe të angazhojë të gjitha strukturat e specializuara shtetërore për të analizuar situatën e krijuar, si të vetmen mundësi për të mbrojtur interesin publik, për të zbatuar ligjin dhe kontratat në fjale dhe për të realizuar premtimet për dhënien fund të ndikimit të interesave personale në menaxhimin e burimeve natyrore në Shqipëri.“Prej disa ditësh në shtypin shqiptar janë bërë publikime që lidhen me aktivitetin e shoqërisë “Phoenix Petroleum” sh.a. Kësaj fushate sot i është bashkuar edhe qëndrimi zyrtar i Administratorit të Albpetrol sh.a .Dëshirojmë të informojmë opinionin publik se këto informacione janë tërësisht të pavërteta, të pasakta dhe qëllimisht të rreme, të shpërndara për të dezinformuar opinionin publik lidhur me aktivitetin e shoqërisë sonë. Aktiviteti ynë mbështetet në Marrëveshjet Hidrokarbure të lidhura në mënyrë të ligjshme me shtetin shqiptar dhe kompleksiteti i të drejtave dhe detyrimeve të ndërsjella nuk mund të shpjegohet për publikun nëpërmjet informacioneve të njëanëshme e të munguara.Ftojmë adiministratorin e Albpetrol sh.a të zbatojë me seriozitet detyrimet ligjore dhe kontraktuale, të ndërpresë menjëherë fushatën dezinformuese kundër shoqërisë sonë dhe të angazhojë të gjitha strukturat e specializuara shtetërore për të analizuar situatën e krijuar, si të vetmen mundësi për të mbrojtur interesin publik, për të zbatuar ligjin dhe kontratat në fjalë dhe për të realizuar premtimet për dhënien fund të ndikimit të interesave personale në menaxhimin e burimeve natyrore në Shqipëri.Shoqëria jonë ka një background të qëndrueshëm dhe serioz të përbërë nga investitorë vendas dhe të huaj, ndaj dhe shpresojmë që organet shtetërore ta vlerësojnë këtë fakt me seriozitetin që i takon dhe që kanë deklaruar publikisht, veçanërisht në muajt dhe ditët e fundit.Mbetemi të hapur për sqarime të detajuara për çdo anëtar të publikut të gjerë dhe medias, por gjithsesi shpresojmë që situata të mos përshkallëzohet, nëpërmjet angazhimit nga ana jonë të instancave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, apo atyre të ndjekjes penale.Shpresojmë, që qeveria shqiptare, si i vetmi autoritet dhe përfaqesues i burimeve natyrore kombëtare, të ushtrojë autoritetin e vet në këtë ngjarje të papreçedent nga ana e Administratorit të Albpetrol sh.a, veprimet e të cilit bien ndesh me klimën e mirë të krijuar nga qeveria shqiptare për thithjen e investimeve.Qëllimi ynë është përmbushja e përpiktë e detyrimeve të marra përsipër dhe realizimi i investimeve të premtuara në këtë sektor, si rruga optimale që harmonizon më së miri interesin publik, atë shtetëror, por edhe interesat tona të ligjshme të sipërmarrjes.”, thuhet në deklaratën e plotë të “Phoenix Petroleum”.