Ç’do të thosha nëse…

Ditët e fundit, ministrja e Kulturës, pas këshillimit për teatrin, thirri një tjetër për problemet e kinematografisë. Nuk kam asgjë kundër këshillimeve, siç më pëlqen t’i pagëzoj në vend të emrit konsultë. Përkundrazi. Qofshin të gjera apo të ngushta, ato gjithsesi janë të dobishme, së paku për të pohuar atë thënien proverbiale “një mendje, hiç mendje”. Siç më thanë kolegë që ishin të pranishëm, pjesëmarrja ishte e gjerë dhe debatet të nxehta, siç ndodh sidomos kur tonin e japin të rinjtë, që përveç ideve të reja, janë të motivuar edhe nga ethja e hapësirës që kërkojnë, për të afirmuar vetveten. Edhe kjo duhet gjykuar si e dobishme, sepse siç është e natyrshme, brezat duhet t’u lënë njëri-tjetrit rrugë të hapura. Ajo çka më ka pezmatuar, janë… mungesat. Në këshillimin për teatrin ishte vetëm një dramaturg, megjithëse në platformat e kandidatëve për drejtor të Teatrit Kombëtar është nënvizuar që dramaturgjia kombëtare duhet të ketë përparësi në repertorin e tij. Në këshillimin për filmin kishte regjisorë, por mungonin disa nga emrat që kanë krijuar dhe kanë vazhduar të sjellin edhe në vitet e demokracisë filma që janë në kolonën e parë të trashëgimisë sonë në kinematografi. Po përmend vetëm tre prej tyre: Anagnosti me “Gjoleka, i biri i Abazit”, Milkani me “Trishtimi i zonjës Shnajder” dhe V. Prifti me “Dasma e Sakos”. Harresa apo mungesa, të jenë vallë një shtysë sentimentale që të mos i lodhim “baballarët? “Epo, do të ishte e tepërt kjo ndjenjë, aq më shumë kur ata dhe të tjerë i kanë në vend ende patkonjtë e mendjes, për të huazuar Dritëroin. Ky “sentimentalizëm” (paçka se po thumboj paksa), nuk do të më pëlqente as mua. Jo vetëm si skenarist i 14 filmave, ca prej të cilëve vazhdojnë të kenë mirëpritje, meqë mëtoj se i kanë shpëtuar goxha skemës së socrealizmit. Njëri prej tyre, “Dhe vjen një ditë”, me regji të V. Priftit, është shfaqur në Festivalin e Venecias më 1987-n dhe është pritur me habi në një artikull të “Corriere della sera”, se si mundej që nga Shqipëria e asaj kohe mund të vinte një film me nota kritike për dukuri të tilla si tjetërsimi i njeriut, si dhe filmat “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes”, me regji të E. Musliut. Do të kisha dëshirë të isha dhe… të më kërkoheshin shpjegime, pse jo edhe llogari, për disa momente të reformës së filmit ku edhe unë kam pasur ndikim, madje qartësisht të dukshëm. E para sepse ligji për kinematografinë është bërë në vitet ’95-’96 kur unë kam drejtuar Ministrinë e Kulturës. U hartua pas një studimi të ligjeve të vendeve lindore që po kalonin të njëjtin tranzicion si edhe ne, dhe të njohjes në vend të organizimeve të reja në Hungari, Bullgari etj. nga komisioni që hartoi ligjin. Rrjedhoja më pozitive e atij ligji ishte krijimi i shtëpive filmike, i producentëve privatë, që do të konkurronin me projekte për fondin publik që do të jepej nga shteti, madje jo si pjesë e buxhetit të ministrisë, por si një zë më vete. Këto vazhdojnë edhe sot e kësaj dite dhe do të vazhdojnë edhe më tej, sepse nuk është gjetur ende ndonjë formë tjetër për marrëdhënien shtet-privat. Nëse ndokujt i vete mendja se edhe te ne mund të funksionojë sistemi i Hollivudit amerikan apo i Bollivudit indian, ku shteti nuk ndërhyn me fonde në industrinë e filmit, atëherë po them se kjo është një ëndërr në diell. Në vende kaq të mëdha, është rrjeti i gjerë i kinemave që garanton fitimet, pa përjashtuar që edhe aty ka humbje. (Kujtoj p.sh. përvojën e hidhur të Pikoli me “Gjeneralin…”). Nëse prodhimi filmik në këto vite është sa ¼ e atij të kohës së komunizmit, kjo nuk duhet të na çuditë sepse atëherë synohej që filmi të shërbente si një mjet propagande dhe, pavarësisht se u bënë edhe filma të mirë që i mbijetuan trysnisë së censurës e skematizmit, duke i parë sot në ekranin e Top Channel, them me bindje se do të kishte qenë më mirë sikur gjysma e tyre të mos ishin bërë. Ajo që duket e pashpjegueshme dhe e dhimbshme, është se si ndodhi që vit pas viti buxheti që iu dha Qendrës Kombëtare të Kinematografisë erdhi duke u pakësuar, aq sa tani të jetë sa ½ e atij që jepej në vitet ’92-’96? Si është e mundur që shteti ynë i jep filmit shumë më pak para se ai maqedonas apo malazez? Duket se si prirje dhe si koncept, ne vuajmë nga mbivlerësimi i forcave tona artistike dhe besojmë se të tjerët, kapitali privat, do të rendin drejt nesh. Ndonëse kjo rrugë u trasua tashmë, me ndonjë përjashtim (“Gjoleka…”)thuajse të gjitha këto bashkëprodhime, më së shumti janë bërë në fazën e postproduksionit. Me sa duket, ministrat që janë ulur në kolltukun e kulturës nuk ia dolën dot të bindin qeveritë përkatëse dhe pasanikët e vendit që nuk iu dridhet dora për spote reklamash apo për të mbështetur fushatat zgjedhore, për peshën e filmit dhe të kulturës në përgjithësi, për afirmimin tonë në botë, çka do ta bënte më të lehtë edhe procesin integrues. Ndoshta s’kanë pasur kohën e mjaftueshme apo aftësinë për ta bërë këtë, përndryshe si do të shpjegohej që në 14 vitet e fundit, në atë fron janë ulur njëri apo njëra pas tjetrës një duzinë emrash? Tani po i adresohen thirrjet dhe kritikat, ligjit! Vetëkuptohet, një ligj prej 20 vjetësh ka vend për t’u riparë, por thelbi i tij, mënyra e financimit nëpërmjet QKK prej një zëri të veçantë e jo brenda fondit për kulturën dhe synimi që të gjenden edhe producentë të huaj, sidomos tani që jemi përfshirë në rrjetin EUROIMAGE, mbetet e vetmja.E dyta: nëse do të kisha qenë… Do ta mirëprisja çdo pyetje e kërkesë llogarie për dy vitet, 2009-2011, kur kam qenë kryetar i komisionit për zgjedhjen e projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. E di mirëfilli se për këtë komision, që për rutinë të kohës e quajnë bord, ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë vërejtje, kritika, akuza për klane, favorizime e të tjera. Është e kotë të kërkojmë që krijuesit, shumica e tyre, të shërohen nga kjo sindromë. Asgjëkund më shumë sesa në art, subjektivizmi nuk është kaq i mprehtë e tinëzar. Secili e di malin e tij më të lartë dhe kur nuk fiton në garë, thotë se fajin e ka arbitri. Meqë kjo shprehje e egoizmit është e pashmangshme, atëherë mbetet rruga e vetme, ajo e llogaridhënies nga ata që kanë marrë përsipër përzgjedhjen. Mirëpo te ne për çdo gjë mund të flitet, përveç dhënies së llogarisë, që butësisht tani e quajnë transparencë. Unë e ndiej për detyrim moral ta bëj këtë përditësim dhe shpresoj se 4 kolegët e tjerë, regjisori E. Musliu, aktori B. Lako, shkrimtari e kritiku A. Tufa dhe piktori D. Neziri, bordi që vendosi për projektet e këtyre viteve, do të jenë dakord me mua, se koha provoi që kemi vendosur mirë, me paanësi, pa simpatira apo antipatira partiake e shoqërore. Për të qenë konkret: Dy nga projektet e miratuara, “Amnistia” i Alimanit dhe “Agon” i R. Budinës, tani janë shfaqur dhe janë pritur mirë brenda e nëpër festivale. Tri projekte janë në fazën përfundimtare: “Engjëjt janë larg” i Xhuvanit, “Amsterdam ekspres” i F. Koçit dhe “Bota” i kineastes së re Iris Elezi. Të gjithë këta filma ia dolën të bindin edhe producentë të huaj dhe janë bashkëprodhime. U shfaqën disa filma dokumentarë që u pritën mirë, si “Anija” i R. Sejkos, “Njëqind vjet me himnin e flamurit” i P. Rukës, “Skënderbeu” i V. Priftit etj. Duke mbështetur kërkesën e drejtë të drejtuesit të Qendrës, regjisorit A. Minarolli, u nda një fond i veçantë për filmat e të rinjve dhe për studentët diplomantë të Universitetit të Arteve e të Akademisë “Marubi”. Me keqardhje lexova prononcimin e drejtorit të Qendrës, se nuk parashikohet të fillojë asnjë film i ri dhe pyeta veten: ku vemi? M’u kujtua se edhe në vitin e eksodit të madh të ‘90-s, ne ia dolëm të bëjmë filma, midis të cilëve edhe “Vdekja e kalit” i S. Kumbaros. Zotërinj! Kinematografia s’ka nevojë për prova se si mund të rilindë. Ajo duhet të vazhdojë të jetë një nënë pjellore, por siç dihet…nuk mund të lindet me kofshët mbyllur…/Burimi: panorama.com.al/