“Tosca” ose çmimi kolektiv i individualizmit

Në operën “Tosca” të Puçinit, që po shfaqet këto ditë në Tiranë, heroina ndodhet përballë një dileme të tmerrshme. I dashuri i saj, Caravadossi, është dënuar me vdekje nga shefi i policisë Scarpia. Ky i fundit i ka ofruar asaj një marrëveshje. Nëse Tosca do të pranojë të kalojë një natë me të, ai do t’ia falë jetën të dashurit të saj, duke urdhëruar togën e ekzekutimit të qëllojë me fishekë mësimorë. Tosca vendos ta mashtrojë Scarpian duke e pranuar sa për sy e faqe marrëveshjen me të. Ajo do t’i ngulë thikën kryepolicit sapo ky të ketë dhënë urdhrin për të qëlluar me fishekë të zbrazur. Dhe kështu bën, por vë re se edhe Scarpia nga ana e tij, e kishte mashtruar. Toga e ekzekutimit qëllon me fishekë të vërtetë. Cavaradossi vdes, Tosca vret veten dhe në fund, bashkë me Scarpian, kemi tre të vdekur.Pa e ditur dhe vetë, Tosca dhe Scarpia janë duke luajtur një lojë, lojën më të famshme të teorisë së lojës: dilemën e të burgosurit. Dhe janë duke e luajtur fiks siç e parashikojnë specialistët e teorisë së lojës, pavarësisht pasojave tragjike. Është loja që aplikohet sa herë që ka një konflikt midis interesit personal dhe të mirës së përbashkët. Të dy, Tosca dhe Scarpia, do të përfitonin nëse do t’i përmbaheshin kontratës: Tosca do të shpëtonte jetën e të dashurit të saj, kurse Scarpia do ta çonte atë në krevat. Por, si individë, secili do të fitonte maksimalisht, nëse njëri do ta thyente kontratën teksa tjetri do i përmbahej asaj: Tosca do të shpëtonte të dashurin dhe virtytin e saj, kurse Scarpia do bënte qejfin e tij dhe do të hiqte qafe një rival.Versioni modern i lojës së mësipërme, i ideuar nga Douglas Hofstadter, quhet “dilema e ujkut”. Njëzet persona, të izoluar nga njëri-tjetri, mbajnë dorën mbi një buton. Secili prej tyre fiton 1000 $ nëse brenda 10 minutash askush s’e shtyp butonin që ka përpara. Kush nuk  reziston, fiton 100 $ dhe lë të tjerët pa gjë. Kush është i zgjuar nuk e shtyp butonin dhe fiton 1000 $. Kush është shumë i zgjuar, e kupton se ekziston një mundësi e vogël që ndonjëri ta shtypë butonin para kohe dhe ta marrë shpërblimin e tij duke i lënë të tjerët duarbosh, prandaj do ishte mirë ta shtypje para tij butonin. Kush është shumë, shumë i zgjuar e parashikon se edhe personat shumë të zgjuar do të deduktojnë të njëjtën gjë, kështuqë, o burra kush ta shtypë i pari butonin! Siç shihet, logjika e pastër të çon në katastrofë.Tosca-t dhe Scarpia-t janë kudo rreth nesh. Sa herë që joshemi të bëjmë diçka, për të cilën e dimë se do të ishte gabim sikur ta bënin të gjithë, jemi në të njëjtin kurth ku bie Tosca dhe Scarpia. Sikur askush të mos vidhte makina, sikur askush të mos përjashtohej nga pagesa e gjobave apo energjisë apo taksave, të gjithë do përfitonim. Por në një botë si e jona, individi mund të ketë përfitime më të mëdha për vete, nëse nuk respekton kontratën sociale dhe vjedh makina dhe nuk paguan taksat, energjinë dhe gjobat. Peshkatarët, gjuetarët, druvarët dhe ndërtuesit do të përfitonin bashkërisht më tepër nëse do të vetëkufizoheshin në shfrytëzimin pa kriter të hapësirës (ujore, pyjore dhe urbane). Por kur secili mundohet të peshkojë, të gjuajë, të presë e të ndërtojë sa mundet, atëherë kush vetëkufizohet rezulton thjesht një budalla i virtytshëm. Mesa duket ky është çmimi kolektiv që paguajmë për individualizmin tonë të pafré./Burimi: mapo.al/