Basha pret Presidentin bullgar: Opozita pro çdo reforme për integrim
Kryetari i PD, njëherësh kryebashkiak i Tiranës Lulzim Basha priti sot Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev.Në këtë takim zoti Basha dhe zoti Plevneliev kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetjen që Bullgaria do t'i japë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.Basha ka theksuar angazhimin e opozitës për të dhënë të gjithë kontributin e saj në këtë proces, duke mbështetur të gjitha nismat e nevojshme për plotësimin e standardeve.Duke iu referuar mosdhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë, pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian, të dy bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin qëndrim, se ekstremistët në Europë nuk kanë qenë asnjëherë forcë bllokuese.Konsolidimi i demokracisë dhe respektimi i shtetit ligjor janë sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria. Në këtë kuadër, zoti Basha ka theksuar domosdoshmërinë që shfaqet para qeverisë për të kryer detyrat në raport me këto sfida dhe jo për ta hedhur përgjegjësinë tek të tjerët.Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, theksoi se një vend demokratik dhe që aspiron të integrohet në BE duhet të dëshmojë transparencë në vendimmarrje dhe respektim të shtetit ligjor.Një vend të veçantë në këtë takim zuri edhe situata ekonomike në vend.Basha ka shprehur shqetësimin për efektet që do të ketë dhe që ka nisur të japë paketa e re fiskale, e cila përmes rritjes së taksave frenon investimet e brendshme dhe të huaja, rrezikon shkatërrimin e vendeve të punës dhe cenon zhvillimin, mirëqenien dhe paqen sociale.Presidenti bullgar duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij, ka theksuar se ekonomia mund të zhvillohet duke stimuluar investimet e huaja përmes taksave të ulëta dhe duke ndërtuar një administratë fiskale profesionale dhe transparente.Presidenti i Bullgarisë, z.Rosen Plevneliev e ftoi zotin Basha të vijojnë bashkëbisedimin dhe bashkëpunimin gjatë vizitës zyrtare që do të zhvilloi së shpejti në Sofje.