Kosovë, shantazhet e qeverisë e fusin Kuvendin në krizë
Deputetë të opozitës dhe monitorues të Kuvendit të Kosovës kanë thënë se biseda telefonike e përgjuar mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është argument shtesë që konfirmon se axhenda e Kuvendit diktohet nga qeveria. Sipas tyre, këtu anashkalohet pozicioni i kryetarit të Kuvendit në përgatitjen e axhendës, nga shefi i qeverisë dhe ai i Grupit parlamentar të PDK-së.Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kuvendi gjithnjë ka shërbyer për qeverinë siç e ka quajtur ai “trampolinë e projekteve të pushtetit”.Ndërsa për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk ka nevojë që nga bisedat telefonike të zyrtarëve të PDK-së të kuptohet që ekzekutivi e cakton axhendën e legjislativit.Monitoruesi i punës së Kuvendit të Kosovës nga IDK-ja, Driton Selmanaj, ka thënë se telefonatat paraqesin dëshminë e radhës se në Kosovë, Kuvendi është në krizë identiteti dhe i nënshtruar ndaj tendencave abuzuese nga ana e qeverisë.