Maqedoni, Shoqata e historianëve shqiptarë akademi përkujtimore për Mehmet pashë Dërallën

Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë ka zhvilluar nje akademi perkujtimore kushtuar nje nga figurave te shquara patriotike shqiptare Mehmet pashë Dëralla.Kjo ceremoni ka bashkuar zv.kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri, ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami, ministrin e Forcave të Sigurise se Kosoves Agim Çeku dhe ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi si dhe shumë të ftuar të tjerë.Ne fjalën e nderit Imami, evidentoi kontributin dhe meritat historike të gjeneral Mehmet pashë Dërallës.“Medalja e parë që kam firmosur si ministër i Mbrojtjes është pikërisht për Mehmet pashë Dërallën. I kam propozuar Presidentit të Republikës që ti japë medaljen më të lartë të shtetit shqiptar. Këtë e kam bërë, jo vetëm për faktin se ai ishte ministri i parë i Mbrojtjes, por për shkak të kontributeve të pamatshme që ai pati për çështjen kombëtare. Kontributet e tij nuk lidhen vetëm me pozicionin si Ministër i Luftës, por e gjithë jeta e tij është luftë e përpjekje për një Shqipëri të lirë, të pavarur e sovrane”, - është shprehur ministri Imami.Mehmet pashë Dëralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit, Maqedoni. Ai është regjistruar në memorien historike të popullit tonë si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 dhe gjithashtu ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare dhe Ministri i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, të drejtuar nga Ismail bej Vlora.