Përgjimet në Kosovë, qeveria: Janë skandaloze

Qeveria në Kosovë ka reaguar ashpër ndaj publikimit të disa bisedave telefonike të cilat pretendohet se janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucional.  Qeveria thotë se ato janë të falsifikuara dhe joligjore.Reagimi i saj ka të bëjë me disa regjistrime të publikuara të enjten në Youtube, të disa bisedave telefonike të përgjuara që pretendohet të jenë zhvilluar ndërmjet shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ministres për integrime evropiane, Vlora Çitaku dhe kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.Bisedat përfshijnë çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake, ndërsa vënë theksin tek kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe përplasjet që kanë ndodhur ndërmjet tij dhe drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës.Në një deklaratë për mediat qeveria e Kosovës kërkon hetimin e këtyre përgjimeve ndërsa i ka cilësuar si skandaloze  dhe kundër ligjit.Por zyrtarë të EULEX-it pa pranuar të mohojnë apo pohojnë  vërtetësinë e bisedave, thanë se materialet  u bënë publike pasi i ishin dorëzuar Gjykatës dhe Këshillit të Mbrojtjes në një proces gjyqësor.  Ndërkohë  zyrtaret nga EULEX  nuk kanë njoftuar se në lidhje me çfarë hetimesh mund të jenë bërë regjistrimet.