Krasniqi: Përgjimet treguan karakteret e tyre të vërteta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi I ka dërguar një letër mediave në lidhje me përgjimet e zyrtarëve të PDK-së të publikuara ditët e fundit, ku ai ishte shënjestra kryesore e bisedave.Në letrën drejtuar mediave Krasniqi shprehet mjaft i prekur dhe thekson se në jetën e tij politike, prapaskenat kurrë nuk kanë qenë as formë, as praktikë përbuzëse për punën e shokëve me të cilët ka bashkëpunuar e bashkëluftuar.“E ndiej për obligim t’i përgjigjem opinionit publik lidhur me përgjimet e publikuara në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe në rrjetet e shumta sociale, ku i apostrofuar dhe i sulmuar verbalisht, me një fjalor tejet primitiv jam edhe unë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës. Në gjithë veprimtarinë time politike publike kam qenë transparent, i vendosur, i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen, pa marrë parasysh çfarë mendojnë rivalët apo kundërshtarët e mi politikë, qofshin ata edhe brendapërbrenda partisë sime - PDK-së”, ka thënë Krasniqi.Ai ka theksuar se publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, kanë skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.“Nëse janë të falsifikuara këto biseda mund të ngrejnë padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike të cilët nuk kanë pamundësi që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike. Unë nuk merrem as me njerëzit që falsifikojnë gjëra, as me bisedat private të personaliteteve publike, qoftë edhe në rastet kur dikush ua bën publike jetën private, nëse mund të jetë brenda kornizave të privacisë ajo që u dëgjua”, ka thënë më tej kryekuvendari Krasniqi.Funksioni im politik, siç thekson Krasniqi, ka për qëllim realizimin e të gjitha aspiratave tona politike, ekonomike, shoqërore për të cilin kam marrë besimin nga qytetarët e Kosovës.“Gjatë jetës sime politike 39-vjeçare jam përpjekur të respektoj bashkëveprimtarët e bashkëmendimtarët e mi, kam respektuar njerëzit me të cilët kemi pasur mendime e qëllime të njëjta, por në të njëjtën kohë respektoj të gjitha mendimet ndryshe nga të miat, sepse jam i vetëdijshëm se fryma e debatit dhe e tolerancës (pa ofendime ndaj mendimtarëve që nuk mendojnë si unë), krijon një atmosferë të shëndetshme për demokracinë në Kosovë dhe jep shembull të mirë të edukimit politik, intelektual, atdhetar e demokratik për gjeneratat e reja”, ka theksuar Krasniqi.