Italia kërkon shtyrjen e miqësores me Spanjën

Federata Italiane e Futbollit mendon ta shtyjë miqësoren me kombëtaren spanjolle, e parashikuar të luhet më 5 Mars në "Vicente Calderon". Sipas trajnerit të të kaltërve, Cesare Prandelli, nuk është e nevojshme një miqësore e tillë me Spanjën vetëm 3 muaj para startit të Kampionatit Botëror dhe mbi të gjitha, për shkak të mundësisë që ekziston që këto dy skuadra të përballen pas fazës së grupeve. Kështu tekniku italian preferon që ndaj një rivali potencial në Kupën e Botës të mos i zbulojë pikat e dobëta të skuadrës së tij dhe për më tepër kur bëhet fjalë për kampionët në fuqi të Botës dhe Europës, me të cilët italianët janë përballur 4 herë që prej 2011-ës, në një miqësore në Bari, dy herë në Europianin 2012 dhe sërish në Kupën e Konfederatave verën e kaluar.Në Brazil, një tjetër përballje mes 4 herë kampionëve të botës dhe La Furia Roja mund të ndodhë në çerekfinale, nëse të dyja skuadrat e kalojnë si kryesuese fazën e parë të grupeve. Në lidhje me këtë kërkesë, Federata e Spanjës është vënë në dijeni, por nuk e ka marrë ende një vendim, ka kohë deri më datë 10 dhe deri atëherë duhet të merret parasysh mendimi i presidentit Angel Maria Villar dhe mbi të gjitha i trajnerit të kombëtares. Vicente del Bosque duhet të ketë parasysh se takimi miqësor i Marsit është mundësia më e mirë për të bërë disa prova para se të vendosë për 23-shen e lojtarëve që do të nisin fushatën për mbrojtjen e titullit kampion. Një risi për Spanjën mund të jetë edhe debutimi i Diego Costas, që u shndërrua në kryelajm për pak kohë pas refuzimit që i bëri vendit të tij, Brazilit dhe preferoi të veshë fanellën e La Rojas.