Montezemolo: Alonso qëndron me ne

Pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga ana e McLaren për të bindur Fernando Alonson të rikthehet në Woking, presidenti i Ferrarit, Luca Di Montezemolo shprehet i sigurt se spanjolli do të vazhdojë aventurën në Maranello."Këto spekulime rreth të ardhmes së Alonsos i shërbejnë vetëm shtypit por ndonjëherë edhe publikut. Gjithsesi, e vërteta është se ai ka një kontratë me ne deri në vitin 2016 dhe unë jam shumë i kënaqur nga puna që ka bërë. Shqetësimi im më i madh është që t'i japim një makinë sa më të mirë. Kam një mal me probleme dhe në këtë listë çështja e pilotit të parë është e fundit. Kemi ende edhe dy vjet kohë për të folur për të ardhmen".Fjalë të qarta që kthejnë pas sinjalet për një largim të mundshëm të dy herë kampionit të botës. Thashethemet e para qarkulluan gjatë muajve të verës, por tashmë duket se situata është normalizuar, kjo edhe për faktin se Ferrari kërkon të ndërtojë një makinë të shpejtë për të synuar titullin kampion."Kam thënë se këtë vit Fernando u rendit i dyti falë aftësive të tij dhe jo falë makinës. Nga ana tjetër, unë dua një pilot që edhe në momentet e vështira të qëndrojë pranë skuadrës. Kjo është sakrifica që i kam kërkuar Alonsos në mesin e sezonit. Jam shumë i lumtur që kam në skuadër një pilot si ai".