Andi Lila shënon dhe kthehet në hero te PAS Janina

Andi Lila është hero të Pas Janina. Në ndeshjen që ekipi grek luajti dje, mbrojtësi i kombëtares sonë ka qenë vendimtar me golin e tij. Andi Lila ka shënuar golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e tij, që tani renditet në vendin e 7-të në kampionat  dhe synon të ngjitet akoma më lart. Ndeshja nisi mjaftë mirë për skuadrën vendase e cila dominoi lojën në pjesën më të madhe. Të dyja ekipet luajtën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Dasios dhe Tatos.Pjesa e parë përfundoi e bardhë ndërsa në të dytën skuadra e Lilës kaloi në avantazh të përkohshëm pas një penalltie të kthyer në gol nga De Vincenti. Më pas Manias ktheu barazpeshën në fushën e lojës teksa përfitoi nga një vendosje e gabuar e vendasve. Më pas ishte radha e Andi Lilës për të vulosur fitoren. Në minutën e 72-të mbrojtësi i kombëtares sonë zbulohet nga mbulimi i mbrojtjes mike duke goditur saktë me kokë. Ky gol kishte kohë që i mundote Lilës i cili gjithmonë ka qenë një ndër pikat më të forta të skuadrës së Pas Janinës. Kujtojmë që ai ka firmosur edhe një kontratë të re me këtë klub.Në ndeshjen e djeshme është aktivizuar edhe lojtari tjetër i kombëtares, Emiljano Vila.