Superliga, java 16 vendimtare për skuadrat e mëdha
Java e 16-të e Kategorisë Superiore do të jetë e fundit për këtë vit dhe njëkohësisht do të jetë vendimtare për fatet e shumë skuadrave. Avoritja kryesore për të fituar Superligën, Skëndërbeu këtë javë ai do të përballet me Lushnjën në fushën e kësaj të fundit, në një sfidë aspak e lehtë për ekipin korçar. Trajneri Mirel Josa mund të projektojë një sfidë shumë të vështirë, ku nëse skuadra e tij ia del mbanë të marrë tri pikët, atëherë Skënderbeu hedh një hap të fortë përpara dhe mund të quhet edhe si një favorite absolut për titullin.Partizani që është ndjekësi më i afërt i tij, luan të dielën në Vlorë përballë Flamurtarit, një ndeshje që do të jetë më e nxehta dhe më rivalizuesja e kësaj jave. Edhe për skuadrën e Hasan Likës kjo është një përballje shumë e vështirë, ndërsa për vlonjatët mund të thuhet me plot gojën se fitorja i fut në vallen e titullit. Tirana në një krizë të madhe do të përballet nesër me Teutën, skuadër që gjithashtu ka pasur probleme në javët e fundit pas ndryshimit të stafit teknik. Kjo përballje është e rëndësishme edhe për trajnerin Gugash Magani, i cili deri para pak javësh drejtonte Teutën.Bardheblutë janë në buzë të greminës dhe një tjetër rezultat negativ mund të shkaktonte turbullira edhe ndër tifozët. Padyshim që edhe kjo sfidë është e nxehtë dhe e rëndësishme, sidomos për Tiranën që rrezikon seriozisht rënien një kategori më poshtë. Nesër do të luhet dhe një përballje interesante midis Kukësit dhe Kastriotit, por jo në fushën e Kukësit pasi është e penalizuar nga FSHF. Kukësi ka pretendime për titullin dhe humbja e javës së shkuar ndaj Teutës i ka zbehur ambiciet e tyre. Një fitore nesër mund të sjellë entuziazmin e dëshiruar.