1.2 mld Euro, 10 lëvizjet më të bujshme të 2013
1.2 miliard Euro është kostoja totale e 10 lëvizjeve më të bujshme në vitin 2013.Në 12 muaj është thyer edhe rekordi që më parë mbahej nga Cristiano Ronaldo dhe ishte sërish Reali i Madridit që nuk u kursye për të arritur aty ku donte, mori me këmbëngulje Gareth Bale nga Tottenhami për 100 milionë Euro.Në fakt sipas listës së përpiluar nga "Goal.com", kostoja e përgjithshme e detyrimeve të klubit madrilen e kalon shifrën e 100 milionë Eurove për uellsianin, duke llogaritur të gjitha pagat, taksat dhe çdo detyrim tjetër financiar, që rrjedh nga kjo martesë.Në rast se Bale do të qëndrojë deri në fund të kontratës, pra 6 vjet në Madrid, shuma totale që Reali duhet të paguajë për shërbimet e tij, duke llogaritur edhe çmimin e blerjes, shkon në ekzaktësisht 198.8 milionë Euro. Këtu janë llogaritur edhe pagesat e agjentit apo shpenzimet paraprake me konsulentë, por gjithsesi ka vend për gabime pasi jo të gjitha shifrat janë bërë publike nga Reali apo nga çdo klub tjetër për lëvizjet përkatëse që ka bërë në merkato.Duke patur parasysh të njëjtat të dhëna, Radamel Falcao rezulton më i kushtueshmi pas Bale, me Monacon që për kolumbianin në total duhet të shpenzojë 150.3 milionë Euro, ndërsa pas tij renditen Cavani, Neymar, Ozil, Gotze, Fellaini, Marquinhos, Higuain dhe James Rodriguez.Ligue 1 rezulton sipas kësaj liste kampionati ku paratë derdhen lumë, me Monacon e Paris Saint Germain që përkatësisht kanë bërë nga dy super blerje.