Haxhinasto në takimin e SEETO-s, shpalos vizionin për zhvillimin e infrastukturës së transportit

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në Takimin e Përvjetshëm të Ministrave të Transportit të Evropës Jug Lindore (SEETO) ku paraqiti vizionin e qeverisë së Shqipërisë për zhvillimin e infrastukturës së transportit dhe forcimin e këtij sektori si kontributor për rritjen ekonomike dhe punësimin.Gjatë fjalës së tij të mbajtur në takim, ai theksoi nevojën e përfundimit me cilësi e standard të veprave publike në rrugë, me theks të veçantë tek siguria rrugore dhe mirëmbajtja e tyre. Ai foli për planin e rigjallërimit të hekurudhës shqiptare, me lidhjet me fqinjët, portet dhe për rrjetin e zonës Tiranë, Rinas, Durrës.Ministri theksoi prioritetin e Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e portit të Shëngjinit që do i shërbente edhe rajonit, veçanërisht Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë. Ndërsa për transportin ajror u rikonfirmua hapja e tregut dhe rritja e cilësisë së shërbimit për qytetarët shqiptarë, nëpërmjet futjes në treg të kompanive që ofrojnë shërbime me kosto të ulët, por edhe nëpërmjet ndërtimit të aeroportit të jugut.Ai shprehu nevojën për një koordinim më të mirë nga vendet e rajonit për planifikimin e infrastrukturës së përbashkët, financimin për realizimin e tyre, por edhe për mirëmbajtjen dhe qëndrueshmërinë e investimeve. Ai theksoi si domosdoshmëri liberalizimin e mëtejshëm të shërbimeve të transportit në rajon, nëpërmjet heqjes së barrierave jo-fizike, si dhe thjeshtësimit të të shërbimeve në kufinj.Ministri Haxhinasto tha se arritja e objektivave të përbashkëta ka më tepër shanse realizimi nëse rritet shpejtësia e bashkëpunimit midis vendeve partnere. Ministri shprehu gatishmërinë që vendet anëtare të SEETO ta realizojnë firmosjen e Traktatit Komunitar të Transportit në Tiranë.