Kompleksi Jon, Tahiri dorëzon padi në Prokurorinë e Vlorës
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka depozituar sot në Prokurorinë e Vlorës një kallzim penal për “kompleksin Jon” të ndërtuar tek Uji i Ftohtë në Vlorë.Kallzimi penal ka të bëjë me shkeljet që janë konstatuar në mënyrën e përfitimit të pronës, zbatimit të lejes së ndërtimit dhe perspektivës së zhvillimit të pronës.Depozitimi i padisë në prokurorinë e Vlorës është bërë nga Tahiri në cilësinë e kreut të Task Forcës.Disa ditë më parë, Gjykata Administrative e rrethit të Vlorës hoqi masën e sekuestros për kompleksin Jon në qytetin bregdetar duke pranuar kërkesën e familjarëve të këtij kompleksi të cilët kishin ngritur padi ndaj Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për bllokim të paligjshëm të objektit.INUK e kishte bllokuar kompleksin Jon prej disa ditësh, me argumentin se po bëhen verifikime, nëse pallati është ndërtuar apo jo në kundërshtim me planin urbanistik.“Kryetar i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri në përmbushje të detyrave funksionale të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.931, datë 09.10.2013, "Për Krijimin e Task - Forcës, për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit" ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Vlorë një Kallëzim Penal lidhur me një godinë në ndërtim në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës.Kallëzimi është bërë pas njohjes me relacionet e paraqitura nga Inspektoriati Urbanistik Kombëtar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe dokumentet bashkëngjitur këtyre relacioneve. Task-Forca ka analizuar situatën ligjore dhe faktike të objektit në ndërtimin "Godinë banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane", në lagjen "Uji i Ftohtë", Vlorë, të zbatuar nga subjekti ndërtues shoqëria "G.B-A KONSTRUKSION", në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga K.Rr.T-ja e Bashkisë Vlorë, me Vendimin e saj Nr. 5/7, datë 17.08.2010.Nga relacionet e paraqitura janë vërejtur shkelje të rënda të legjislacionit në fushën e pronësisë, në zbatimin e lejes së ndërtimit si dhe probleme të krijuara nga ky ndërtim në perspektivën e zhvillimit turistik të zonës. Për të gjitha shkeljet e vërejtura, Kryetari i Task-Force për Mbrojtjen e Territorit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka bërë kallëzimin penal, të cilin mund ta gjeni bashkëlidhur këtij njoftimi”thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Brendshme.