PD: PAK të braktisur nga qeveria Rama, 200 000 familje pa bukën e gojës

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama se ka lënë në harresë kategorinë e personave PAK. Në një deklaratë për mediat, ish-Ministri i Financave Ridvan Bode, deklaroi se Kryeministri dhe pse e përdori këtë kategori si justifikim për rritjen e borxhit vetëm një muaj më parë, nuk po jep asnjë kacidhe për ta duke lënë kështu rreth 200 mijë familje pa bukën e gojës.“Sot është dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuar, është një ditë që fton opinionin e gjërë publik për një reflektim të veçantë, një vëmendje më të ngritur, një kujdes të shtuar dhe një dhimbje njerëzore për këtë kategori të shoqërisë.Është në detyrën dhe moralin e të gjitha qeverisjeve dhe forcave politike, që ndaj kësaj shtrese , faturës sociale të nevojshme të shprehë vëmendjen, kujdesin për të treguar fytyrën njerëzore të një qeverisje. Personat me aftësi të kufizuar në ditën ndërkombëtare të tyre gjenden të braktisur dhe të harruar nga qeveria Rama, pagesat për ta janë pezulluar nga kjo qeveri sepse ata nuk janë dhe nuk mund të jenë prioritet i qeverisë Rama. Qeveria Rama një muaj më parë ndryshoi buxhetin e vitit 2012, duke rritur huamarrjen me 240 milionë dollarë më shumë, duke i njohur të drejtën vetes në katër muaj qeverisje të tij të marrë 400 milionë dollarë borxh, por në këtë buxhet të shtuar nuk ka asnjë kacidhe për PAK. Edhe pse nga ana jonë në mometin e miratimit të buxhetit është kërkuar shtimi i fondeve për të përballuar pagesën e muajve të fundit. Kryeministri Rama gënjeu kur me demagogji kërkoi të justifikojë rritjen e borxhit duke thënë se 98 milionë lekë nga borxhi do të merreshin për PAK, në të vërtetë pakësoi me 20 milionë lekë” tha ai.Në cilësinë e ish-kreu të financave shqiptare, Bode tha se në qeverisjen e PD pagesa e kësaj kategorie është konsideruar gjithmonë prioritare dhe asnjëherë nuk është vonuar apo nuk është futur në radhën e pagesave të thesarit.“Në qeverisjen e PD, fatura sociale nga 61, 8 milliard lekë, 618 milionë dollarë u çua në 141 miliard lekë, 1,4 miliardë dollarë ose rritur në më shumë se 2.3 herë. Po kështu dhe në strukturën e buxhetit në raport me prodhimin e brendshëm bruto, fatura sociale u rrit nga 8,3% në 10.7% me 2.5% mesatarisht në vit, e përkthyer në vlerën e buxhetit me rreth 300 milionë dollarë shtesë çdo vit në buxhetet respektive. Vetëm për personat me aftësi të kufizuar fondet u rritën nga 10.5 miliardë lekë në 18,1 miliardë lekë. Pagesa e kësaj kategorie është konsideruar gjithmonë prioritare dhe asnjëherë nuk është vonuar apo nuk është futur në radhën e pagesave të thesarit” u shpreh deputeti demokrat.Referuar deklaratës së sotme të Kryeministrit, se me pagesat e PAK qeverisja demokratike mbuloi fushatën elektorale, Bode tha se kjo është një nga gënjeshtrat e rëndomta të Kryeministrit, që kërkon me çdo kusht të përbaltë qeverisjen e mëparshme.“Kryeministri Rama u deklaroi sot 200 mijë familjeve që presin ditën të marrin bukën e përditshme se buxheti nuk ka më para për ta dhe se fajin e ka qeveria e mëparshme se harxhoi paratë e buxhetit për fushatën elektorale. Kryeministri gënjen rëndom në të gjithë këtë periudhë që është ulur në karrigen e tij, çdo ditë, çdo muaj dhe për çdo gjë. Në 8 muajt e parë të qeverisjes së këtij viti janë shpenzuar 62% e fondeve të programuara të buxhetit, ose më pak se 2/3 që i takonte periudhës respektive. Duke patur një realizim në mënyrë ritmike në masën 92% të programit. Për 4 muajt e fundit qeveria Rama do të harxhojë 105% të programit fillestar dhe megjithatë për PAK nuk ka më para, buxheti i Kryeministrit do jetë 10% më i madh nga ai që ishte programuar ose rreth 600 milionë lekë të reja më shumë nga sa ishte në fillim të vitit, por para për PAK nuk ka” tha më tej Bode.Në përfundim të deklarëts së tij deputeti demokrat tha se Kryeministri Rama nuk ka asnjë alibi për lënien në mëshirë të fatit të kësaj kategorie, përveçse papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së qeverisë së tij.“Rama nuk dhe s’mund të ketë asnjë alibi për lënien pa bukën e përditshme të 200 mijë familjeve sepse me platformën e tij të përbaltjes për qeverinë paraardhëse tashmë është bërë tepër bajate dhe askush nuk e beson. Sindromi i planovizmit të qeverisë Rama se ka tejkaluar planin është qesharak, kur planet e tejkaluara rritin borxhin ndaj biznesit dhe shtojën borxhe të reja për PAK. Një fakt e dëshmon qartë këtë, në muajin tetor dhe pse shpenzimet e qeverisë janë 105% e programit fillestar janë paguar vetëm 1/3 e vlerës së paguar tetorin e vitit 2012. Rama deklaron sukses se po tejkalon të ardhurat që i uli vetë, por në këto të ardhura të tejkaluara nuk po gjen para për të paguar PAK. Kjo situatë dëshmon se kemi të bëjmë me një qeverisje të papërgjegjshme që të vetmin justifikim që përdor është akuza dhe përbaltja e qeverisë paraardhëse dhe pse vetë një muaj më parë ka ndërtuar dhe miratuar një buxhet me dorë trë lëshuar dhe me borxhe të rritura” përfundoi ai.