Arrestohet drejtori i kufirit në Korçë Ylber Zyberi, akuzohet për korrupsion

Arrestohet në flagrancë Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës Ylber Zyberi.Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se Zyberi akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra të tjera”, dhe “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.Sipas MB-së, nga hetimet paraprake rezulton se Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin në Qarkun e Korçës,Ylber Zyberi ka favorizuar në vazhdimësi kalimin e mallrave kontrabandë jashtë pikës doganore, duke shmangur shërbimet e policisë kufitare në vendkalimet e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë. Zyberi dyshohet se shpesh herë ka bërë edhe shoqërimin e mjeteve të ngarkuara me mallra kontrabandë me qëllim mos kapjen e tyre nga strukturat e policisë.Sipas MB-së, janë shpallur në kërkim disa persona që dyshohet se ishin pjesë e një grupi kriminal që kryente kontrabandë të mallrave industrialë dhe ato me akcizë.Mësohet gjithashtu se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, si rrjedhojë e aplikimit të metodave speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal që kanë ushtruar për disa kohë  kontrabandë të mallrave industriale dhe atyre me akcizë, jashtë pikës doganore, në kufirin jeshil, në afërsi të Fshatit  Zaroshkë, Komuna Pustec (Liqenas),Korçë.Në orën 04:20, të ditës së sotme, në fshatin Zaroshkë, u bë e mundur kapja në flagrancë e mjetit me targa bullgare “E 1233 KM”, i cili ishte i ngarkuar me mallra industriale, konfeksione, kontrabandë në sasi dhe vlerë të konsiderueshme.Ministria e Brendshme gjithashtu thekson se SHKB-ja në bashkëpunim me Njësinë Task-Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, të shtrirë në kohë edhe me shumë persona të tjerë të dyshuar, si dhe me implikime të strukturave të policisë kufitare në Qarkun e Korçës.