Gjiknuri takim me përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti në një takim përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve, Z.Kol Nikollaj dhe Taf Koleci.Ministri i informoi ata në lidhje me masat e marra në kuadër të kontrollit të ushtruar në rajonin krom mbajtës të Bulqizës, sa i takon zbatimit të detyrimeve kontraktuale të subjekteve të licencuara dhe sidomos për kushtet e sigurisë në punë për punëtorët.Përfaqësuesit e minatorëve përshëndetën dhe shprehën mbështetjen e tyre për masat e marra nga ministria me qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe në tërësi aktivitetit mineral nxjerrës në Bulqizë.Në këndvështrimin e përfaqësuesve të sindikatës, shqetësimi i vetëm i punëtorëve që kanë nisur një grevë urie, ka të bëjë me çështjen e trajtimit me pagesë për periudhën gjatë të cilës subjektet e penalizuara do të jenë në kushtet e pezullimit të aktivitetit prodhues.Përfaqësuesit e minatorëve dhe ministri u angazhuan për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e këtyre pagesave në përputhje me ligjin dhe në respekt të detyrimeve kontraktuale që kompanitë kanë ndaj punëmarrësve. Ministri deklaroi se të gjitha subjektet do të jenë të detyruara të trajtojnë me pagesë punëtorët në zbatim të Kodit të Punës dhe detyrimeve që lindin prej kontratave të punës.Përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe të sindikatës së minatorëve do të jenë nesër në Bulqizë për të zhvilluar një takim me minatorët e ngujuar në grevën e urisë.