Gjosha pret Ambasadorin austriak: Statusi sinjal pozitiv, më të rëndësishme reformat

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti në një vizitë kortezie Ambasadorin Austriak në Tiranë, Thomas Schnöll. Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera me Austrinë, në të gjitha fushat ku është bashkëpunuar deri tani.Ministrja Gjosha, falenderoi ambasadorin për mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë. Ajo e njohu me ecurinë e procesit të integrimit, reformat e masat e ndërmarra që prej muajit shtator.“Shpresojmë që këtë muaj tu japim shqiptarëve një lajm mjaft pozitiv siç do të ishte ai për marrjen e statusit, por më duhet të theksoj se gjëja më e rëndësishme për ne janë reformat, për të cilat ne jemi të angazhuar maksimalisht. Në këtë pikëpamje, vendimi për statusin do të na nxiste më shumë në këtë drejtim. Do të ishte gjithashtu një sinjal mjaft pozitiv edhe për publikun e gjerë, 85% e të cilit në momentin që ne flasim është pro futjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministrja Gjosha, gjatë takimit.Ambasadori Austriak, vlerësoi dinamizmin e qeverisë së re dhe theksoi se për aq kohë sa Shqipëria bën pjesën që i takon në drejtim të reformave, ka kryer detyrën e saj përpara vendeve anëtarë të BE-së.Schnöll, shprehu gjithashtu vullnetin e shtetit që përfaqëson për të rritur më tej bashkëpunimin dhe për të asistuar në nivel ekspertësh. Dukeqenëse Austria është ndër vendet që përthith më shumë fonde nga Bashkimi Evropian, ministrja Gjosha kërkoi mbështetje për Ministrinë e Integrimit Evropian, si institucion që ka rol kyç në lidhje me zbatimin e projekteve dhe programeve me fondet që i akordohen Shqipërisë nga BE.Ambasadori Austriak, shprehu angazhimin e tij në këtë drejtim si dhe vlerësoi bashkëpunimin në nivel ekspertësh, duke vënë theksin se qeveria e re duhet të shohë me mjaft objektivizëm punën e specialistëve të trajnuar, duke evituar lëvizjet apo largimet nga puna.Ministrja Gjosha, e siguroi ambasadorin se në Ministrinë e Integrimit Evropian, ekspertët dhe specialistët vlerësohen për punën e tyre pasi ata konsiderohen jo vetëm memoria e këtij institucioni por edhe si të domosdoshëm për mbarëvajtjen e këtij procesi.