Statusi, Bogdani: Shqipëria e meriton plotësisht, fotoja e Hoxhës provokim i qëllimshëm
Marrja e statusit në dhjetor nuk është një dhuratë për Shqipërinë, por një hap i merituar që duhej të ishte kapërcyer prej vitesh. Kështu deklaroi në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, deputeti demokrat Gerti Bogdani, i cili theksoi se shkak i vonesës në këtë proçes është bërë sa qëndrimi bllokues i Kryeministrit Rama gjatë kohës së tij si opozitar, ashtu dhe aplikimi i standardeve të dyfishta për pranimin nga BE. Në këtë kontekst, Bogdani referuar letrës së komisionerit Fule drejtuar vendeve të BE, e konsideroi më tepër një përpjekje personale të tij për të arritur një sukses të fundit në krye të KE.“BE nuk është duke i falur asgjë Shqipërisë, Shqipëria dhe shqiptarët e kanë merituar statusin për disa vite me radhë. Shqiptarët duhet ta kishin marrë statusin e vendit kandidat shumë më herët, kjo jo vetëm për faj të Kryeministrit të sotëm, por dhe vetë BE që ka aplikuar standarde të dyfishta pranimi. Është në mënyrë absolute diçka e merituar dhe jo e dhuruar. Letra e Fules është një përpjekje më tepër personale e tij për të arritur një sukses të fundit në krye të KE. Shpresojmë që ky proçes të mbyllet me sukses. Nga ana jonë si PD vazhdojmë aksionin tonë me partitë simotra në, PPE, ku dje deklaruan se do kenë një votë pro Shqipërisë në KiE” tha ai.Një gafë diplomatike e ka vlerësuar Bogdani deklaratën e kryeministrit Rama gjatë takimit me Camerun në Londër. Sipas tij deklarata të tilla në politikën e jashtme janë të gabuara dhe mund të jenë ushqim i mirë për vendet spektike për Shqipërinë, siç është dhe Hollanda.“Deklarata e zotit. Rama është e gabuar, është deklarata që ai bëri në Britani gjatë takimit me Camerun, është deklaratë që mund të kënaqë euroskepticizmin britanik, por në mometin që transmetohet në Bruksel është mesazh negativ, pavarësisht problemeve që ka Europa. Projekti i Europës së bashkuar është ajo që të gjithë dëshirojnë. Të thuash se sa më shumë i afrohem kësaj gjëje aq më shumë zhgënjehem , këtë mund ta thotë vetëm një Kryeministër që nuk merr vesh nga politika e jashtme, siç është Kryeministri jonë, që e ka treguar shumë herët që bën gabime në politikën e jashtme. Mbase nga nxitimi, mbase nga kërshëria për të kënaqur atë që ka në krah apo përballë, sic ishte deklarata me Presidentin maqedonas, ku pakicën maqedonase në Shqipëri e barazon me 1/3 e popullësisë maqedonase qe janë shqiptarët në Maqedoni. Deklarata të tilla në politikën e jashtme janë të gabuara, nuk i bëjnë mirë Shqipërisë dhe u jep ushqim vendeve spektike për Shqipërinë, siç është dhe Hollanda” theksoi Bogdani.E ndërsa po tentojmë të shkojmë drejt Europës së Bashkuar, një tjetër marrëdhënie shumë e rëndësishme e Shqipërisë mendohet se ka pësuar krisje pas refuzimit të armëve kimike të Sirisë, po çmendon zoti. Bogdani lidhur me këtë çështje:“Unë shpresoj marrëdhëniet tona me SHBA të mos kenë pësuar krisje, SHBA kanë qenë përtner historik në historinë e Shqipërisë. Rasti i fundit ka qenë futja në qorrsokak e aletatit tonë kryesor nga një Kryeministër i paaftë, Kryeministër që mashtroi deri ditën e fundit qytetarët e tij dhe aletatët tanë, shpresoj që kjo të mos prishë marrëdhëniet Shqipëri- SHBA, pra mes dy popujve dhe jo mes qeverive. Nuk e konsideroj si një lider që foli në emër të qytetarëve, JO-ja e tij ishte një jo e mekur”.Bogdani: Për Edi Ramën i pari vjen Enver Hoxha, pastaj integrimiPërballë drejtorit të Informacionit Patrik Sadikaj, Bogdani komentoi edhe reagimet lidhur me shfaqen e fotos së Enver Hoxhës gjatë festimeve të 29 nëntorit. Sipas tij mbetet akoma e paqartë nëse ishte pjesë e protokollit të shtetit apo jo, megjithatë ai e vlerëson një tentative të keqe të qeverisë Rama-Meta për të rilindur apo ricikluar figurën e dikatorit shqiptar, Enver Hoxha.“ Mund ta mbajnë portretin e tij në shtëpitë e tyre , s’ka asgjë të keqe, problemi është kur shfaqet në një ceremonial zyrtar prapa krahëve të krerëve të shtetit, sepse s’kemi të bëjmë thjesht me një lider, por diktatori shqiptar që u shkatërroi jetën qindra shqiptarëve. Ndaj është problem dalja e fotos së tij në festimet për ditën e çlirimit. Rama-Meta padiskutim po luajnë me zjarrin, është një tenativë për të rilindur apo ricikluar figurën e dikatorit shqiptar, Enver Hoxhës. Është tentativë e keqe që i bën dëm shqiptarëve, është një nga periudhat më të errëta të shoqërisë shqiptare, që nga censura e lirisë së fjalës e deri tek cënimi i të drejtës themeltare, e drejta e jetës. Po luajnë me zjarrin, pasi nuk është një lapsus ajo foto, mendohet të ketë qenë pjesë e protokollit të shtetit dhe për këtë kemi kërkuar përgjigje nga Kryeministri. Kemi fotot e shfaqura nga Kryeministria ku më shumë duket fytyra e Enver Hoxhës sesa e vetë Edi Ramës. Si duket ky Kryeministër më prioritare ka këtë foto, sesa vetë statusin, këtë e tregon dhe fakti se kanë filluar të merren me të vetëm javët e fundit. Ai e bën për kaprico, për tu treguar shqiptarëve se unë nuk pyes, si ajo puna e 1 milion shuplakave, por harroi se mori 3 milion shuplaka për armët kimike. Problemi i fotografisë është se ndez ndjesi shumë të këqia tek shqiptarët, Rama po i rindez ato ndjenja negativiteti, por nëse vazhdon të bëjë këtë lojë shqiptarët do dinë ti japin përgjigjen e duhur” tha ai.Zgjedhjet në Kosovë, Bogdani: Fitore për demokracinë, këmbanë për rrotacion politikZhvillimet në Kosovë dhe rezultatet e zgjedhjeve ishin pjesë e intervistës me zotin. Bogdani. Në terësinë e e tyre, deputeti demokrat i vlersoi një test pjekurie politike dhe demokracie. Sa i përket 9 komunave serbe në veri, Bogdani vlerëson se mbeten një rrezik konstant për Kosovën.“Kosova e kaloi me sukses një test pjekurie politike, por edhe demokracie, mbi të gjitha në veri. Pavarësisht ankesave në raundin e parë, balotazhi i dha përgjigje shumë të mirë spektikëve apo dashakeqësve për ecurinë e shtetit të ri në Kosovë. 9 komuna serbe të drejtuara nga lista e preferuar e Beogradit, padyshim që janë një rrezik brenda Kosovës, një rrezik që do mbetet atje konstant për sakohë politika shqiptare do vazhdojë të jetë e çarë edhe në këtë rast. Është problemi i shqiponjës me dy koka që sjell probleme të tilla, për sa kohë që shqiptarët bëhen bashkë për të zgjidhur probleme të tilla aq më e lehtë do të ishte dhe në menaxhimin e këtyre komunave. Është me rëndësi fakti që u bënë zgjedhje në këto komuna, pra janë njerëz të zgjedhur dhe jo thjesht të emëruar nga Beogradi. Sa më shumë kalon koha aq më i madh duhet të jetë angazhimi i qeverisë kosovare, por dhe pushtetit lokal të Kosovës për të bërë që këto komuna të mirëqeverisen, të mirëintegrohen dhe më pas të shohim si do vijojnë në të ardhmen si ecuri”.I pyetur se kush fitoi nga këto zgjedhje, në gjykimin e Bogdanit fitorja shkon e gjitha për qytetarët e Kosovës. Por nisur nga harta e re elektorale, ai thekson se zgjedhjet lokale janë një këmbanë se në Kosovë ka ardhur koha për rrotacion politik.“Triumfuesit e vërtetë janë qytetarët kosovarë që kanë ditur të votojnë drejt. Prisja një fitore të LDK në Prizren, sepse kishte një përçarje të PDK. Sa i përket Prishtinës, ishte një rezultat i ngushtë por padyshim surprizë. Kjo tregon se qytetarët janë gjithmonë të prirur të kërkojnë energji të reja dhe vizione të reja. Uroj dhe shpresoj që Shpendi të ketë një karrierë të sukseshme ne drejtimin e Prishtinës dhe tu kthejë qytetarëve besimin që i dhanë me votën e tyre. Nuk mund ta them akoma se krahu i luftës humbi në këto zgjedhje, pasi zoti.Thaçi është ende Kryeministër, këtë mund ta shohim në zgjedhjet e ardhshme. Është një cikël si në çdo demokraci normale, çdo parti politike ka ciklin e vet të qeverisjes dhe opozitës. Psh. në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me dëshirën e madhe për të rilindur se rilindje s’ka përveç fotos së Enver Hoxhës. Në vendet e Ballkanit është treguar se asnjë forcë politike nuk ka mundur të qeverisë më shumë se 8 vite. Luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe më pas politikanët e pavarësisë së saj janë një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Kosovës, por kam përshtypjen se ka ardhur koha e një rrotacioni politik dhe ky konfiguracion në zgjedhjet lokale e paralajmëron atë në zgjedhjet kombëtare, pasi gjithmonë zgjedhjet lokale janë këmbana e zgjedhjeve kombëtare, kështu që do të shohim se si do të vinë në të ardhmen e afërt”.