Gjirokastër, investigim mbi ndihmën sociale: 18 kryetarë njësish kanë abuzuar

Shkeljet ligjore të faktuara gjatë ofrimit të shërbimeve sociale në Qarkun Gjirokastër dhe nevoja e rishikimit të të gjithë sistemit të ofrimit të ndihmës ekonomike, pagesës së paaftësisë dhe pensioneve të invaliditetit janë bërë pjesë e një diskutimi të hapur mes aktorëve lokalë, zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe zyrtarëve të USAID që mbështetën monitorimin e këtij sistemi.Sipas konstatimeve mediatike të bëra nga gazetarët investigative, romët janë pothuajse të përjashtuar nga kuadri i mbështetjes. Gjatë këtij monitorimi kanë qenë 31 persona përfitues të ndihmës ekonomike, pensionit të invaliditetit dhe përfitues të jetimit apo të statusit të të verbërit, të cilët kanë denoncuar rastet e tyre.Më shumë se 75 burime dhe dhjetëra dokumenta zyrtare, materiale audio apo video janë përdorur nga gazetarët për të faktuar këto problematika. Si rezultat i këtij investigimi të gjatë dhe të detajuar janë faktuar abuzimet me detyrën për 18 zyrtarë në të gjitha njësitë vendore të raportuara.E pranishme në takim, Denada Dibra, përfaqësuese e Ministrisë së Punës pranoi se sistemi realisht vuan prej apatisë, korrupsionit dhe moszbatimit të ligjit, ndërsa u shpreh se shumë aspekte të tij kanë filluar të reformohen.Programi i mbështetur edhe nga USAID, ka theksuar rëndësinë e rolit të medias për të siguruar më tepër transparencë për publikun.