Shqiptarët festojnë në Vlorë 100 vjetorin, pritje madhështore për kryeministrin Berisha

Në një pritje madhështore kryeministri i vendit, Sali Berisha, mbërriti në mbrëmje në Vlorë, i pritur nga mijëra qytetarë vlonjatë, që ndodhen atje për të festuar shpalljen një shekull më parë të pavarësisë.Mes entuziazmit të qytetarëve, Berishaka përcjellë urimin e 100 vjetorit “Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë!”“Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!” tha Kryeministri.Ndërkohë Vlora vazhdon të vlojë nën kulmin e festimeve, ku mijëra shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare janë mbledhur për të shijuar në qytetin e pavarësisë dhe për të pritur deri në orët e para të mëngjesit ditën e madhe të 28 nëntorit , e cila vë kurorën e këtij 100 vjetori në qytetin e Vlorës.