100 vjetori, Nishani merr urime nga Papa Benedikti XVI dhe nga krerë shtetesh

Presidentit të Republikës, Bujar Nishani vazhdojnë t'i vijnë mesazhe urime me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë nga krerë shtetesh e qeverish si dhe nga personalitete të larta ndërkombëtare.Një mesazh i veçantë Presidentit të Republikës i ka mbërritur nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, i cili shkruan se: "Po ju shkruaj për të shprehur urimet e mia më të përzemërta, me rastin e Festës së Pavarësisë të Republikës së Shqipërisë.Në këtë rast të rëndësishëm, po dërgoj Shumë të Nderuarin Zef Gashi, Prift i Barit, si Përfaqësues të Selisë së Shenjtë, që sjell urimet e mia personale për ju dhe qytetarët tuaj. Nëpërmjet tij, jam i kënaqur t'ju përcjell sigurimet e lutjeve të mia që ju dhe qeveria juaj të kërkoni forcimin e paqes, drejtësisë dhe përparimit për vendin. Duke përsëritur, zoti President, urimet e mia, ju dërgoj për ju dhe popullit të vendit tuaj, bekimet më të shumta!".Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias shprehet se: "Për këtë përvjetor, i cili përbën një pikë kthese në historinë e popullit mik shqiptar, ju shpreh urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta personale, si dhe urimet e popullit grek. Njëkohësisht, dëshiroj t'ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë për të çuar përpara marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për të mbështetur përpjekjet që po bën vendi juaj në rrugën e tij për të bërë realitet perspektivën e vet evropiane".Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano: "Me rastin e Festës Kombëtare e në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, dëshiroj t'ju formuloj, në emrin tim personal dhe të popullit Italian urimet më të mira për begatinë e kombit mik shqiptar!Historia e popujve tanë është ngushtësisht e lidhur prej kohërave të lashta. Sot marrëdhëniet tona të veçanta e të ngushta bazohen në vlera e synime të përbashkëta si dhe në angazhimin tonë të përbashkët në forumet ndërkombëtare në gjirin e Aleancës së Atlantikut. Dëshrioj t'ju përgëzoj për sukseset e arritura nga Shqipëria në kuadër të procesit të përafrimit në Bashkimin Evropian. Italia mbështet dhe përkrah vijimin e këtij rrugëtimi virtuoz."Guvernatore e Përgjithshme e Australisë, Quentin Bryce: "Kam kënaqësinë t'ju përcjell Juve, qeverisë dhe popullit shqiptar, urimet më të ngrohta, duke ju uruar 100-Vjetorin e Pavarësisë. Viti i kaluar ka qenë me shumë progrese në forcimin e marredhënieve tona. Komuniteti shqiptar i Australisë ka mbështetur këtë agjendë. Isha veçanërisht e gëzuar për vizitën në gusht të Ministrit të Jashtëm Panariti në Australi dhe Sekretarit të Parlamentit Australian Marles në Shqipëri në prill. Tashmë ne jemi duke zgjeruar marrëdhëniet tona në investime, turizëm, etj. Qeveria asutraliane beson se sfidat globale si klima, zhvillimi ndërkombëtar dhe çarmatimi kërkojnë zgjidhje të gjera. Kombet e Bashkuara, si institucione multilaterale sigurojnë mënyrat më të mira për zgjidhjet e duhura. Me këtë rast shpreh dhe besimin tim se marrëdhëniet miqësore midis dyvendeve tona do të vazhdojnë të forcohen në vitin tjetër."