Vlora nderon ish-ambasadorin Withers dhe akademikun Qosja

Vijojnë në Vlorë aktivitetet në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.Në teatrin “Petro Marko” të Vlorës  është zhvilluar sot ceremonia e shpalljes “Qytetar nderi” për ish-ambasadorin e SHBA-së John Withers dhe për adademiku Rexhep Qosja.Kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika e ka cilësuar ish-ambasadorin Withers si mikun e përjetshëm të shqiptarëve.“Pavarësisht se është larguar prej 2 vjetësh nga Shqipëria, ish-ambasadori Withers  është shpirtërisht me qytetarët e këtij vendi në të gjithë botën. Çdo 28 nëntor ai organizon në Washington edhe një darkë për pavarësinë e Shqipërisë” theksoi Gjika.Gjithashtu, Gjika ka vlerësuar edhe kontributin e akademikut Rexhep Qosja për shoqërinë shqiptare.“Me kontributin e tij Rexhep Qosja është pasardhësi i mendimtarëve të mëdhenj të Shqipërisë.  Me aktivitetin e tij ka përcjellë mesazhe të forta për shoqërinë tonë.   Rexhep Qosja është një prej intelektualëve të shquar të kombit tonë” shtoi më tej Gjika.Nga ana e tij, akademiku Qosja është shprehur i privilegjuar që ka marrë titullin “Qytetar nderi” i Vlorës ndërsa shtoi se Vlora ka pasur rolin kryesor në historinë e vendit.“Vlora është zemra bashkuese e shqiptarëve, është qyteti i lavdisë. Ndihem i privilegjuar për nderimin që më bëhet duke qënë i shpallur “Qytetar Nderi” i Vlorës në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Vlora ka pasur rolin kryesor në histori. Këtë rol historik Vlorës nuk do t`ia marr askush pasi këtë rol Vlorës ia ka dhuruar historia dhe gjeografia” tha Qosja.Ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së John Withers është shprehur optimist se Shqipëria do të ketë një rilindje të re lirie."Unë premtoj që gjithmonë të bëjë më të mirën që Vlora të krenohet me mua.  Sot Shqipëria ka të tjera rreziqe por Shqipëria ka një vizion të ri. Sot vizioni i Shqipërisë nuk është thjesht të jetë i lirë dhe i pavarur por vizioni i një demokracie të kompletuar. Është vizioni i shpresës për drejtësi, liri, për institucione që qëndrojnë të pavarura dhe për barazinë.  Unë e di për sfidat që jënë para jush por kam besim te Shqipëria dhe te shqiptarët” tha Withers.Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i PS-së Edi Rama i cili theksoi se sot Vlora do të ketë dy qytetarë të rinj. Ai shprehu vlerësimin për kontributin e akademikut Qose dhe të ish-ambasadorit amerikan Withers.