Fyle takon Ramën: Dialog konstruktiv mazhorancë-opozitë për integrimin

“Kjo është vizita ime e tretë në Shqipëri dhe është e vërtetë në fakt që është edhe vizita ime e parë në Shqipëri pasi erdhi në pushtet qeveria e re dhe ishte kënaqësi që u takova me Kryeministrin Rama. Ne kemi diskutuar dhe kemi prekur një sërë çështjesh. Natyrisht që kemi folur edhe për statusin e vendit kandidat. Dhe këto janë disa çështje, të cilat ne i kemi diskutuar edhe në sajë të rekomandimit që dha Komisioni Evropian, por do të vazhdojmë t’i diskutojmë edhe në takime të tjera, që ne do t’i kemi sot, por edhe ditën e nesërme, të cilat së bashku do të jenë një mundësi për të parë pikërisht se çfarë pritet nga Shqipëria, për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit. Ne diskutuam edhe për synimin, për të cilin unë edhe kam ardhur në Shqipëri, që është edhe ky dialog i nivelit të lartë të cilin ne do të lançojmë nesër, për prioritetet kyçe, i cili do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në këto fusha kaq të rëndësishme. Unë mezi po pres që të takohem me disa qindra studentë, sot, në Teatrin e Operës dhe Baletit, po ashtu edhe nesër për të lançuar këtë platformë kaq të rëndësishme, e cila do ta ndihmojë Shqipërinë për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian dhe do të ndihmojë, po ashtu, edhe opozitën dhe të gjitha palët e tjera të interesuara për t’u përfshirë në këtë qëllim dhe synim"tha ai.
Nga ana tjetër kryeministri Rama shprehu angazhimin e qeverisë për një gjithëpërfshirje të palëve në këtë proçes, sikundër theksoi se zotimi për ti ofruar të gjithë hapësirën opozitës do jetë realitet i prekshëm.
“Komisioneri për Zgjerimin, viziton Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe në prag të një nisme që merr jetë nesër, për Dialogun e Nivelit të Lartë, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit si një proces që padyshim nuk është eksluzivitet i qeverisë apo i shumicës parlamentare, por një proces gjithëpërfshirës që shkon edhe përtej partive politike dhe që pa asnjë dyshim, është vullneti ynë që ta zgjerojmë sa më shumë. Jo rastësisht, më pas, ne do të kemi edhe një takim të zgjeruar në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, me një grup studentësh e nxënësish, të përzgjedhur në bazë të rezultateve të tyre të shkëlqyera, që unë i kam ftuar për të përfituar nga rasti fatlum i pranisë së Komisionerit dhe për të ndarë së bashku, këndvështrimin mbi Evropën e gjeneratës tjetër. Unë dëshiroj të nënvizoj se ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave, jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm" deklaroi Rama.
Nishani siguron Fulen: Do jem garant i institucioneve të pavarura
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot Komisionerin për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Bashkimit Evropian, zotin Štefan Füle, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë. Në këtë takim, zoti Füle shoqërohej edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, zoti Ettore Sequi.
Presidenti Nishani, pasi vlerësoi fillimisht Progres Përparimin e Komisionit Evropian për objektivitetin në njohjen e arritjeve të Shqipërisë dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat pa kushte, shprehu besimin e palëkundur se Këshilli Evropian do të marrë një vendim pozitiv në dhjetor dhe shtoi se institucionet dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për përballimin e sfidave të identifikuara nga Raporti, plotësisht të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre parësore dhe nevojën për ndihmë nga partnerët evropianë në këtë përballje.
Më tej, Presidenti e siguroi Komisionerin Füle se Shqipëria do të vijojë rolin e saj si kontributore serioze e paqes dhe stabilitetit rajonal, përmes politikës së fqinjësisë së mirë dhe mbështetjes së bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se kontaktet e vazhdueshme deri në nivele më të larta mes vendeve aspirante dhe anëtare të Bashkimit Evropian, mishëruar në Procesin e Brdo-s, po i kontribuojnë klimës së mirëkuptimit dhe ritmit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

Në ndërhyrjen e tij, Komisioneri Füle u përqendrua në rëndësinë që partnerët evropianë i kushtojnë rolit sa më aktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, perceptimit të aktorëve evropianë për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, dhe integrimit, bazuar në prioritetet e përcaktuara dhe kontributin e saj në rajon.
Kreu i Shtetit vuri në dukje vendosmërinë e Presidentit për të mbështetur të gjitha nismat që përshpejtojnë reformat dhe i shërbejnë krijimit të një ambienti politik bashkëpunues dhe konsensual dhe e siguroi bashkëbiseduesin se do të luajë pa hezitim garantuesin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe do të punojë për thellimin e reformave për një drejtësi efikase, transparente dhe të pavarur nga ndikimet politike dhe të interesave të tjera.
