Arben Frroku para gjykatës: Jam i pafajshëm, s’kam lidhje me vrasjen
Dy ditë pas ekstradimit nga Greqia, Gjykata e Krimve të Rënda i ka komunikuar biznesmenit Arben Frroku masën sigurisë “arrest me burg”. Në seancën me dyer të mbyllura, e cila zgjati për rreth 2 orë, ishin të pranishëm familjarë të Frrokut dhe avokati i tij mbrojtës, Tonin Prendi.Gjatë seancës, biznesmeni Arben Frroku ka paraqitur edhe njëherë pretendimet e tij se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se në momentin që ka ndodhur ngjarja ai ka qenë shumë larg vendit të vrasjes, duke udhëtuar drejt Greqisë. Po kështu edhe avokati mbrojtës, Tonin Prendi, u shpreh në seancë se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që e bëjnë klientin e tij autor të vrasjes së komisar Dritan Lamaj.Por, Prokuroria nga ana tjetër pretendon se ka prova të forta që e përfshijnë Frrokun në vrasjen e kryekomisarit të Policisë. Arben Frroku, vëllai i deputetit të Kuvendit të shqipërisë Mark Frroku është i dyshuari kryesor i akuzës për atentatin e 24 shkurtit ku Dritan Lamaj u vra përpara banesës së tij. Kjo është një çështje me interes të madh publik,pasi Arben Frroku dhe avokatët e tij asnjëherë nuk kanë pranuar vrasjen e Lamajt.Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Gjatë kësaj periudhe kohe ai ka qëndruar në qelitë e burgjeve greke dhe vetëm dje, bazuar në një kërkesë të interpolit shqiptarë është bërë i mundur ekstradimi i tij nga Greqia me avion.