Basha fton në protestë: Të ndalim vjedhjen e votës, para se të ndalë demokracinë

Kreu i opozitës Lulzim Basha u ka lënë takim qytetarëve në 14:00 para selisë së PD, për t’iubashkuar marshimit të protestës kundër vjedhjes së votës. Në një deklaratë për mediat Basha u bëri thirrje qytetarëve ti vënë fre paligjshmërisë dhe arbitraritetit të dyshes Rama-Meta.“PD dhe opozita refuzojnë me neveri këtë projekt antidemokratik dhe antieuropian. Është koha ti bëjmë ne paralajmërimin dyshes Rama-Meta, të mblidhemi kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit. Të ngrihemi të shpëtojmë votën e lirë, të ndalojmë blerjen e votës para se kjo të rrënojë demokracinë. PD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohemi nesër në marshimin paqësor të protestës, për të treguar se zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë, nuk e japim demokracinë, të ndalim këcënimin ndaj së ardhmes. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë vjedhjes së votës së lirë” tha ai.Sipas Bashës rasti flagrant i Korçës është një paralajmërim ogurzi për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme me metodën e blerjes së votës me paratë e krimit të organizuar dhe mafies politike e ekonomike.“Jemi këtu për të thirrur një marshim popullor kundër blerjes së votës, manipulimeve flagrante të zgjedhjeve në Korçë. Ajo që ndodhi në Korçë është paralajmërim ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve nesër me metodën e blerjes së votës me paratë e krimit të organizuar dhe mafies politike e ekonomike. Blerja dhe abstenimi është defakto mohimi më i shëmtuar i të drejtës së zgjedhjes. Kjo është këmbanë alarmi që ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit. Nuk ka gjë më të madhe sesa marrja peng me rrjetën e parave të pista të pasurisë më të madhe që ka individi, votën e lirë. Është poshtrim për popullin shqiptar. Vota e lirë ndan dy botë, atë të zgjedhës dhe lirisë. Është mëkati dhe kërcënimi më i madh i ëndrrrave dhe shpresave të brezit të ri”përfundoi Basha.Marshimi i protestës së Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj do të nisë nga selia e PD, për të vijuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.Deklarata e plotë  kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:

Jam sot këtu bashkë me përfaqësues të brezit të ri, brezit europian të shqiptarëve të lirë, për të njoftuar vendimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe aleatëve tanë opozitarë për të thirrur një marshim popullor proteste në Tiranë, nesër në orën 14.00 pasdite kundër blerjes së votës dhe manipulimeve flagrante të zgjedhjeve   në Korçë nga një  maxhorancë  dhe një kryeministër që sapo kanë marrë në dorë fatet e qeverisjes së vendit.Ajo që ndodhi në Korçë, sot një javë është paralajmërimi ogurzi   i shkatërrimit të zgjedhjeve në shkallë vendi nesër me metodën perverse dhe kriminale të  blerjes së votës apo blerjes së  abstenimit në zgjedhje me paratë e krimit të organizuar dhe mafias politike dhe ekonomike.

Blerja e votës është asgjësimi i votës së lirë të qytetarëve, e barabartë me heqjen e dhomës së fshehtë nga sistemi komunist.Blerja e abstenimit është de fakto mohimi më  i shëmtuar i të  drejtës së zgjedhjes,  si një e drejtë universale njerëzore e shenjtëruar edhe në Kushtetutën e vendit. Kjo është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare, që ka nisur të bjerë që në zgjedhjet politike të 23 qershorit, e që sot po shungullon në veshët dhe në ndërgjegjen demokratike-atdhetare të çdo shqiptari.Nuk ka gjëmë më të madhe se sa marrja peng me rrjetën e parave të pista e pasurisë më të  madhe që ka individi dhe populli në demokraci: Votën e lirë!

Është  poshtërim i mbarë  popullit shqiptar që  ka ëndërruar në dekada votën e lirë, që ka përqafuar dhe provuar në demokraci magjinë e votës së lirë, që ka kuptuar se vota e lirë  ndan dy botë - atë  të zgjedhës dhe atë të lirisë.Ky është mëkati dhe kërcënimi më i madh ndaj ëndrrave dhe shpresave të brezit të ri të  këtij vendi, që nuk mund as duhet të imagjinojnë  dhe as të prekin ndryshe Shqipërinë e bukur të zhvilluar europiane veçse nëpërmjet zgjedhjeve të lira, veçse nëpërmjet demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike dhe opozita e refuzojnë me neveri këtë akt të shëmtuar këtë projekt anti-demokratik dhe anti-europian.Është koha për t’i bërë ne, paralajmërimin tonë të vendosur dyshes Rama-Meta që na ka paralajmëruar se e ka në gjak dhe në projekt blerjen e votës. Të mblidhemi kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit, para se paligjshmëria dhe arbitrariteti ta çojnë vendin në greminë.Ndaj thirrja jonë sot është: Të ngrihemi të shpëtojmë votën e lirë!Të ngrihemi të ndalojmë  blerjen e votës, para se blerja e votës të ndalojë demokracinë. Të ngrihemi të tregojmë dinjitetin tonë dhe individual dhe si popull i lirë.

Partia Demokratike ju bën thirrje gjithë  demokratëve, qytetarëve , burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave:  të bashkohemi nesër në  marshimin tonë paqësor të  protestës për të  komunikuar me fuqinë e bashkimit opozitar dhe qytetar, se: Zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë.Liritë dhe të drejtat tona themelore nuk i japim.Demokracinë nuk e japim.Të mblidhemi nesër, për të ndalur kërcënimin ndaj të ardhmes duke vendosur njëzëri në  sheshin e popullit të lirë: Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë  blerjes së votës dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë dënimit me vdekje të zgjedhjeve të lira nga mafia politike dhe ekonomike. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë  paligjshmërisë dhe arbitraritetit.Të ngrihemi nesër në protestë që  mos jemi të vonuar pasnesër!Partia Demokratike dhe aleatët e saj do ta udhëheqin këtë protestë.

Ju mirëpresim nesër në ora 14.00 para selisë së Partisë Demokratike, prej nga do të nisë marshimi ynë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe para ndërtesës së kryeministrisë. Ju faleminderit dhe mirë se të vini!