Laguna e Nartës në rrezik, peshkatarët: Po zhduken speciet e rralla

Rrezikohet zhdukja e rasatit nga gjuetia e paligjshme. Alarmi vjen nga ekspertët dhe peshkatarët në lagunën e Nartës. Kjo lagunë ndodhet vetëm pak minuta larg qytetit të Vlorës dhe peshkatarë të tillë të paligjshëm e kanë të lehtë për të ushtruar këtë veprimtari pa menduar për pasojat reale.Po sipas peshkatarëve, në këtë zonë po shkojnë drejt zhdukjes edhe pelikani dhe shpendë të tjerë që dikur e kishin për disa muaj vendqëndrimin e tyre në këtë vend.2 janë problemet e mprehta të ngritur nga peshkatarët. E para lidhet me zhdukjen e këtyre specieve të rralla dhe e dyta me mungesën e kontrolleve dhe detyrimeve ligjore, duke lejuar që të gjithë të peshkojnë në këtë zonë edhe peshkatarët e ligjshëm edhe ata të paligjshëm. Apeli në këtë rast shkon për institucionet përkatëse.Laguna e Nartës ndodhet në zonën e Manastirit të Zvërnecit në Vlorë dhe ka dy porta të cilat bëjnë lidhjen e lagunës me detin; përkatësisht Dalani i Vogël e Dalani i Madh.Pas mbylljes në muajt e vjeshtës, ato hapen në muajt mars- prill për të bërë të mundur pastrimin e lagunës si dhe futjen e rasatit të peshkut. Në fillim të viteve '90 në zonën e Lagunës së Nartës punonin rreth 200 peshkatarë, ndërsa kjo ishte një zonë e mbrojtur nga shteti.Sot këtu ushqejnë familjet e tyre një grup i vogël peshkatarësh që kanë të drejtë të ushtrimit të profesionit, ndërsa shumë të tjerë peshkojnë në mënyrë të jashtëligjshme, duke e dëmtuar edhe vetë lagunën.