Krujë, pezullohen 2 efektivë të komisariatit, zvarrisin denoncimin për vjedhje
Pezullohen nga detyra, dy punonjës të Komisariatit të Policisë së Krujës, pasi nuk kanë kryer detyrën për të marrë kallëzimin e një shtetasi e madje e kanë zvarritur atë në mënyrë të pajustifikuar.Ministria e Brendshmë bën me dije se, shtetasi Gëzim Rama, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë është paraqitur pranë Komisariatit të Krujës ditwn e djeshme në datë 08.11.2013, për të depozituar një kallëzim lidhur me vjedhjen e banesës së tij, ngjarje kjo e ndodhur një ditë më pare. Me gjithë përpjekjet e tij ai nuk ka arritur ta bëjë këtë denoncim edhe për 2 ditët në vazhdim, duke u zvarritur në mënyrë të paligjshme nga ana e dy punonjësve të policisë së këtij komisariati.Nga verifikimet e bëra prej drejtuesve të komisariatit rezultoi se përgjegjës për zvarritjen e marrjes së denoncimit të këtij qytetari janë specialisti i policisë së zonës dhe shefi i Seksionit për Krimet e Hapura pranë këtij komisariati. Nisur nga këto verifikime, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, vendosi pezullimin e këtyre punonjësve nga detyra dhe paralelisht nisjen ndaj tyre të ecurisë disiplinore, që i ka kaluar për kompetencë Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.Lidhur me vjedhjen e banesës së shtetasit Gëzim Rama, në lagjen nr.1 në Krujë ka nisur menjëherë puna për dokumentimin e saj. Nga hetimet e policisë u arrit të identifikohen dhe të ndalohen autorët e dyshuar që janë shtetasit: Taulant Dashnor Këllçishta, 19 vjeç, lindur e banues në Krujë dhe Shpëtim Dem Xhaferri, 39 vjeç, lindur e banues në Krujë.Pas kontrollit të kryer në banesën e këtij të fundit është gjetur nga policia një armë gjahu pa leje dhe një armë zjarri automatike, si dhe disa sende që dyshohen se janë vjedhur tek lokali i shtetasit Gëzim Rama.