Korçë, rreziku nga minierat. Ja galeritë e qymyrit me të rrezikshme

Pas ngjarjeve tragjike të 5 të rinjve që u asfiksuan në minierë e ngjarjeve të tilla që përsëriten çdo vit,inxhinierët e minierave tregojnë hartën e shfrytëzimit dhe të minierave më të rrezikshme në vend. Janë dhënë 32 lejë minerare shfrytëzimi për 20 subjekte nga Ministria përkatëse.Dhjetra miniera të tjera janë të mbyllura prej 20 vitesh dhe asetet e tyre degradojnë ç'do ditë e më shumë. Ndër këto asete, ato që janë mbi tokë si ndërtesat, depot, ofiçinat etj. tejet të amortizuara e në rrënim si dhe ato të nëntokës që janë puset, galeritë, traverbangët, punimet minerare, rreth 120 të tilla vetëm në rrethin e Pogradecit.Burim vdekjeprurës, sipas specialistëve, janë sidomos ish-minierat e qymyrit, me përmbajtjen e dioksidit të karbonit në galeritë e tyre, ku nga shpërthimi i këtij gazi edhe një vit më parë humbi jetën në Vërdovë një i ri 20 vjeçar, i cili qe futur për hekurishte. Por jo më pak rrezik paraqesin edhe ndërtesat e amortizuara e me rrezik shembje.Përpos paralajmërimit me tabela për rrezik vdekje në hyrje të galerive të braktisura, jane sinjalizuar herë pas here njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë e shkollave për të sensibilizuar fëmijët dhe opinionin publik për të qëndruar larg këtij rreziku.Por këto asete, siç dihet, janë edhe pasuri kombëtare, vlera e të cilave "tretet bashkë me ato", me kalimin e kohës e ndonëse privatizimi i tyre është me kushte mjaft të favorshme, (80 % e vlerës së objektit me letra me vlerë e 20 % me lekë cash), shitja e tyre ka ngecur.Për këtë ashtu si ish-pronari ku ngrihen këto asete dhe ka të drejtën e parablerjes, këtë të drejtë aty ku nuk ka ish-pronar, thonë specialistët, e kanë komunat e bashkitë që kanë në territorin e tyre të tilla asete e duhet të kërkojnë pranë METE, për ti privatizuar ato dhe për ti kaluar në përdorim të komunitetit për qëllime të ndryshme.