Gjosha: Statusi në dhjetor hap përpara, por jo finalizim i proçesit
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha , priti sot në një takim delegacionin COWEB (Grupi i punës i BE, për rajonin e Ballkanit Perëndimor). Ky grup është përgjegjës për çështjet lidhur me marrëdhëniet e BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.Ai merret me zhvillimin e përgjithshëm politik dhe ekonomik në këto vende, si dhe me proceset e stabilizimit dhe asociimit dhe instrumentet financiarë për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA). Delegacioni do të bëjë gjithashtu një raport vlerësimi për Shqipërinë dhe ky takim i paraprin atij të muajit dhjetor kur do të merret vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat.Duke shprehur kënaqësinë për praninë e këtij delegacioni në MIE, Ministrja Gjosha, theksoi se takimi vjen në një moment shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo i vuri gjithashtu në dispozicion delegacionit planin konkret të masave që po ndërmerren nga qeveria.“Ne besojmë se kjo vizitë do të jetë një mundësi për të gjithë delegacionin tuaj për tu njohur më nga afër në lidhje me progresin që ka bërë Shqipëria. Në të njëjtën kohë ne dëshirojmë t’ju bëjmë me dije zotimin tonë për të intensifikuar të gjitha këto reforma që lidhen me integrimin në BE”, tha ministrja Gjosha, gjatë takimit.Ajo e njohu delegacionin me disa prej vlerësimeve kryesore të Progres-Raportit që Komisioni Evropian, publikoi në tetor, kur u rekomandua dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në muajin dhjetor. Ministrja Gjosha, theksoi se Komisioni Evropian është shprehur mjaft pozitivisht për zhvillimin e fundit të zgjedhjeve parlamentare, progresin e bërë për luftën ndaj krimit të organizuar, reformën në drejtësi dhe administratën publike. Po kështu siç e theksoi ministrja Gjosha, Shqipëria është vlerësuar për masat konkrete të ndërmarra në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ato kundër diskriminimit. Kalimi i butë i pushteteve ishte një tjetër pikë ku u ndal ministrja duke iu referuar vlerësimit të bërë në progres-raport.“Pavarësisht këtij progresi i bazuar në atë çka Komisioni rekomandon për Këshilli e Ministrave të BE, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se sfidat në vazhdim janë më të mëdha, sidomos për 5 prioritetet kyçe të identifikuara në Progres Raport, për të vijuar me hapin tjetër të hapjes së negociatave”, tha Ministrja Gjosha.Ajo shtoi se perspektiva Evropiane e Shqipërisë është shumë e rëndësishme, çka nxit përmbushjen e reformave të mëtejshme brenda vendit. Ministrja nënvizoi se qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme se progresi drejt anëtarësimit varet nga hapat që Shqipëria do ndërmarrë për të përmbushi kriteret e vendosura, të bazuara mbi principin e meritave të vendit.“Në këtë kontekst dhënia e statusit të vendit kandidat do tí dërgojë Shqipërisë një sinjal se reformat që ndërmerren japin rezultatet e tyre. Ky sinjal kaq pozitiv do të na inkurajonte edhe më shumë në vendosmërinë tonë për të vijuar këto reforma”, tha Ministrja Gjosha.Ajo theksoi gjithashtu se qeveria është e vendosur të punojë ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare, në mënyrë që Shqipëria të ecë në procesin e integrimit Evropian.Duke u ndalur tek plani i masave konkrete që po ndërmerren, Ministrja Gjosha theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbet një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë. Në këtë kuadër po vihet në zbatim plani i aksionit të hartuar nga qeveria, i cili identifikon një sërë masash që do të ndërmerren në muajt në vijim.Në të njëjtën kohë, sipas prezantimit që ministrja Gjosha i bëri delegacionit janë ndërmarrë hapa për forcimin e shtetit ligjor. Ajo u ndal në iniciativat ligjore ku ligjit “antimafia” i janë bërë një sërë amendimesh. Përfaqësuesit e delegacionit i drejtuan Ministres disa pyetje për tu njohur më nga afër në lidhje me rolin e MIE-s, në procesin e Integrimit.Po kështu gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në Ballkan, ku vendet aspirante për në BE duhet të punojnë në të njëjtën linjë me qëllim anëtarësimin në BE. Një tjetër çështje që u ngrit nga përfaqësuesit e delegacionit janë pritshmëritë që ka Shqipëria pas marrjes së statusit të vendit kandidat.Ministrja theksoi se marrja e statusit në muajin dhjetor është vetëm një hap tjetër në procesin e integrimit në BE dhe jo finalizimi i tij. Kryetarja e delegacionit, Alix Everard vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria të reflektuar edhe në progres-raport. Ajo nënvizoi se ky takim i paraprin atij të muajit dhjetor kur do të merret edhe vendimi për statusin e Shqipërisë. Kryetarja e delegacionit, u shpreh gjithashtu se COËEB-i është në dijeni të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria e re për të përmbushur prioritetet.