Protestë kundër shkatërrimit të armëve siriane në Shqipëri
Qindra qytetarë të Tiranës,aktivistë të shqoërisë civile në një protestë para Kryeministrisë dhe kryesisë së Parlamentit kanë kërkuar nga qeveria që të mos heshtë më për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, të cilat mund të shkatërrohen në vendin tonë.
Sazan Guri, ambjentalisti i njohur tha se ky është pushtim mjedisor që i bëhet Shqipërisë dhe është më i rrezikshmi nga të gjithë.
" Jemi kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Shëndeti i familjeve është i rëndësishëm. Shqipëria nuk është kosh plehrash i Europës.Të bëjnë kujdes në atë që duhet ardhja e armëve kimike. Ne si qytetarë shqiptarë do i themi: Ose shporru ti armë kimike, ose shporru ti deputet apo politikan që kërkon të importosh këto armë!", tha ambientalisti Sazan Guri.

Për analistin e njohur në vend, Mustafa Nano, logjika e qeverisë dhe heshtja e saj në këtë rast nuk shkon me vendimin e saj kundër importimit të plehrave.
“Përpara zgjedhjeve, opozita e atëhershme që sot është mazhorancë, ngriti zërin kundër importit të mbetjeve, dhe është logjikë e çmendur të na kërkojnë të pranojmë mbetje kimike. Ne kemi mundësinë të vemë logjikën në punë dhe një nga pyetjet me elementare është: Përse armët kimike duhet të asgjësohen në Shqipëri?”, tha Nano.
Shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë pohuan se nëqoftese heshtja e qeverisë do të vazhdojë do të përshkallëzojnë protestat, për të kulmuar në 29 nëntor, ditën e çlirimit të Shqipërisë.