Nxirren trupat e viktimave në Librazhd, vijon operacioni në Dardhas
Në vijim të informacionit në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ish minierën e qymyrit në Dardhas të Pogradecit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë konfirmon se deri më tani është bërë e mundur të nxirren nga galeritë trupat e dy të rinjve, ndërsa vazhdon operacioni i Repartit të Inspektim, Shpëtim, Minierave për tre personat e tjerë të cilën gjenden në ambientet e brendshme.
Nisur nga fakti se mjedisi brenda galerive ka sasi të lartë të dioksit të karbonit, çka e bën të rrezikshëm futjen e ekipit të shpëtimit, ekspertët e RISHM-it kanë nisur procedurën e futjes së ajrit nga jashtë brenda galerive përmes makinerive të cilat vazhdojnë të jenë në punë pa ndërprerje.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë në momentin kur terreni do të vlerësohet i parrezikshëm për jetën e punonjësve të shpëtimit, do të bëhet futja për të nxjerrë trupat e tre të rinjve të tjerë.
Lidhur me ngjarjen në Librazhd, Ministria informon se nga shembja e një masivi shkëmbor në minierën e hekur-nikelit në Berzeshtë të Librazhdit kanë mbetur të vdekur dy persona, përkatësisht Drini Bogdani inxhinier dhe Haxhi Danga zjarrmetar, trupat e të cilëve janë nxjerrë.
Specialistët e RISHM-it kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet për të analizuar rrethanat e plota të aksidentit.
Tahiri: Trashëgimia më e hidhur që na ka lënë pushteti i kaluar
Lidhur me ngjarjet tragjike me pasojë vdekjen e 7 personave ka reaguar edhe Ministri Tahiri, duke shprehuar angazhimin për shembjen e trashegimisë më të hidhur, që sipas tij kanë trashëguar nga pushteti i kaluar.
“Dite e trishte dhe e rende. Qofte e lehte per familjaret e 7 djemve qe humben jeten ne luften e tyre te dhimbshme per te vrare varferine. Kjo qe ndodh sot me minierat dhe humbjen e jetes se djemve te pafajshem, eshte trashegimia me e hidhur qe na ka lene pushteti i kaluar. Por qe duhet shembur menjehere...” shkruan Tahiri.