Tragjedi në Pogradec, humbin jetën në minierë 5 të rinj. Komuna Dardhas 2 ditë zie

Pesë të rinj kanë humbur jetën pasi kanë mbetur të bllokuar në minierën e fshatit Beragozhde të komunës Dardhas në Pogradec.Të rinjtë kishin hyrë në minierë që në orën 7:00 të mëngjesit të së mërkurës për të mbledhur skrap por nuk kanë mundur të dalin më pasi janë asfiksuar nga gazi.Viktimat janë vëllezërit  Edison, Nertil dhe Ledion Hamolli përkatësisht 23,25  dhe 24 vjeç, si dhe dy vëllezërit e tjerë Sazan dhe Arjan Hamolli 29 vjeç.Mësohet se deri më tani nga miniera janë nxjerrë trupat e pajetë të dy vëllezërve Edison dhe Nertil Hamolli ndërkohë që grupi i kërkim-shpëtimit të cilët ndodhen në vendngjarje po bëjnë të mundur nxjerjen e 3 trupave të pajetë nga miniera.Ministria e energjitikës:Miniera ishte e bllokuar për 20 vjetNdërkohë në lidhje me ngjarjen tragjike në minierën e Pogradecit ka reaguar edhe ministria e energjitikës.Përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Energjetikës thotë se miniera ishte e mbyllur prej 20 vitesh dhe viktimat kanë hyrë në mënyrë ilegale për të marrë materiale."Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave është informuar rreth orës 23:00 të së mërkurës se disa persona kanë mbetur të bllokuar në ish minierën e qymyrit në Dardhas të Pogradecit. Menjëherë është ngritur grupi i posatshëm me specialistë të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.  Është konstatuar se në minierën e cila rezulton të jetë pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh, disa persona kanë hyrë në mënyrë ilegale për të marrë materiale ndërsa kanë marrë me vete edhe një gjenerator me benzinë. Gjatë punës së gjeneratorit është prodhuar sasi e konsiderueshme oksid karboni e cila është përhapur brenda galerive.  Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja, Prefekti i Qarkut, drejtuesit e RISHM-it dhe forcat e policisë ndodhen në vendin e ngjarjes ndërsa po punohet edhe për të sqaruar rrethanat e plota” thuhet në deklaratën e ministrisë.Ndërkohë një ekskavator po gërmon në hyrje të minierës për të bërë të mundur hapjen e saj. Më pas  grupet e kërkim shpëtimit do të futen brenda në galerë për të nxjerrë trupat e  pajetë.Tragjedia, komuna Dardhas dy ditë zie për 5 të rinjtëKomuna Dardhas ka shpallur dy ditë zie ndërsa do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për varrimin e 5 të rinjve. Vendimi është marrë nga këshilli i komunës ndërsa është vendosur që për dy ditë nuk do të zhvillohen aktivitete dhe flamuri do të ulet në gjysmështizë.Kryetari i komunës Dardhas Genci Hamollari ka bërë thirrje ministrisë të marrë masa për mbylljen e minierave. “Kemi bërë kërkesë për mbylljen e minierës por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Këto miniera duhet të mbyllen që të shmangen tragjedi të tjera” është shprehur ai.Po në të njëjtën minierë një javë më parë mbeti i bllokuar një i ri tjetër i cili kishte hyrë në minierë për të mbledhur skrap por fatmirësisht ai u nxorr i gjallë nga galeria nga grupi i kërkim-shpëtimit.