"Blerja e votës", Rama-opozitës: Jemi të hapur, pretendimet t’i verifikojë drejtësia
"Kjo është seanca më e pështirë dhe më e turpshme që unë si deputet i ri kam marrë pjesë”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në sallën e Kuvendit duke reaguar pas akuzave të deputetëve të opozitës."Unë jam deputeti i ri dhe më bëri përshtypje ajo që tha deputeti i vjetër që sipas tij kjo është seanca më e pështirë dhe më e turpshme e kësaj salle. Ka një arsye që e thotë dhe sa më takon mua unë them se kjo është e vërtetë se kjo është seanca më e pështirë dhe më e paturshme që unë kam asistuar megjithëse kam parë të tjera edhe më të pështira dhe më të turpshme nga televizori" tha Rama duke iu drejtuar deputetit demokrat Sokol Olldashi.Duke kujtuar ish ministrin e qeverisë socialiste që humbi zgjedhjet në zonën e tij elektorale dhe u ankua për blerje votash, Rama bëri një paralelizëm mes ish ministrave që u ankuan për të njëjtën gjë duke qënë në pushtet.“Nuk mund ta kapërcejmë edhe çështjen që po ngrihet nga deputetet e opozitës, njëherë e një kohë deputetet e vjetër e kujtojnë ishte një ministër i një qeverie socialiste që në zonën e tij humbi zgjedhjet dhe ishte zonë ku socialistët kishin fituar gjithmonë. Ai ministër u bë shumë qesharak duke u ankuar se i vodhën votën, se banda, kriminelë, blerës iu turrën e ia morën padrejtësisht mandatin që sovrani sipas tij e kishte bërë gati për të dhe ishte ministër i brendshëm, jo do si do, pas 8 vjetësh në qeveri të PS. Atëherë deputetet e vjetër thanë të njëjtën gjë, po kujt i ankohen, kujt ia kërkon ky të drejtën që ia kanë grabitur. E nëse ka një të vërtetë në këtë ky është i pari që duhet të kërkojë falje që e ka lënë vendin aq keq sa bandat shkokan ditën për diell e ia lidhkan këtij mandatin. Nëse ai ishte një rast fatkeq i një njeriu të mirë që nuk ishte në gjendje të shpjegonte humbjen që e kishte të merituar, sot është një opozitë e tërë, një shpurë e tërë ministrash që për 8 vjet e kandandisi vendin në një pikë ku ska qenë kurrë më pare” tha Rama.Rama u shpreh më tej se mazhoranca është e hapur për të pranuar çfarëdolloj rruge që opozita dëshiron të ndërmarrë për të bërë faktimin e interpretimit për blerje votash."Projektit që kalojmë sot dhe në çështjen e borxheve që kemi trashëguar por nuk mund ta kapërcej edhe çështjen që po ngihet këtu nga deputetët e opozitës. E kam thënë edhe më parë dhe ua përsëris sot, cdo gjë që ka lidhje me votën për mua vetë dhe për ne që për votën kemi luftuar shumë, kemi humbur edhe njerëz nuk është as e diskutueshme, negociueshme dhe ju keni të drejtën e zotit që interpretimin tuaj ta verifikoni përmes drejtësisë. Ndryshe nga ju që nuk pranuat transparencën në 2009, ne jemi të hapur për cfarëdolloj rruge që ju dëshironi të ndërmerrni për të bërë faktimin e interpretimit tuaj" tha Rama.Rama nuk la lënë pa ironizuar edhe paraardhësin e tij Sali Berisha duke theksuar se ai ka kontribuar në partinë komuniste.“Unë nuk i ngjaj paraardhësit tim në asgjë dhe as më pak nuk i ngjaj në atë pikën kur thoshte se çkeni more me komisionerët socialistë, çkeni me Partinë Socialiste se po na e prishni Partinë Socialiste? Sepse në fakt kjo i vinte nga kushtrimi i të parëv,e se në fund të fundit e ka edhe ai një dorë nga krijimi i asaj partie që deri në vitet 90 persekutonte atë me të cilin rri sot në Kuvend si tek stoli i Parlamentit. Por nga ana tjetër nuk e fsheh dot që kam një keqardhje për ju, e kam një keqardhje për PD-në që lindi si parti e madhe, si një parti e një transformimi rrënjësor dhe u kthye në bunkerin e mendësisë me të cilën ne të tjerët jemi ndarë qysh atëherë dhe kjo jo për meritë të PD-së. Çështjen që keni ngritur sot trajtoheni me të gjitha rrugët që ju e quani të arsyeshme por dua të them një gjë që të mos e harroni, historia ndodh dy herë, njëherë si dramë dhe një herë si komedi dhe ju jeni pjesë e komedisë tani" shtoi Rama.Bode: Qeveria po merr borxh për lukse. Rama: T`i mbaje lapsin se dorën e luante Berisha