Qeveria, "OK" propozimit të MD-së për disa ndryshime në kodin penal
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot dy propozimet e ministrit të drejtësisë për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe disa ndryshime në projektligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.Në propozimin e Ministrisë së Drejtësisë kërkohen ndryshime për kufizimin e imunitetit, trajtimin e korrupsionit si krimi i rëndë dhe trajtimin e aseteve kriminale të cilat burojnë nga veprat penale të korrupsionit."Të vetëdijshëm për rëndësinë e luftës kundër korrupsionit si dhe në konsideratë të evidentimit të Progres Raportit 2013, që citon shprehimisht se: ”... Pas amendimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve publikë të nivelit të lartë dhe gjyqtarëve, Kodi i Procedurës Penale nevojitet të amendohet për të sqaruar procedurat përkatëse hetimore”, si dhe të gjetjes se: “Korrupsioni në gjyqësor mbetet një problem veçanërisht serioz”, Ministria e Drejtësisë në përputhje me Strategjinë Kombëtare Antikorrupsion si dhe me Strategjinë Ndër-Sektoriale për Drejtësinë, ka përgatitur ndryshimet ligjore të cilat lidhen me: 1- Reflektimin në Kodin e Procedurës Penale të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me heqjen dhe kufizimin e imuniteteve; 2- Trajtimin e korrupsiuonit si krim i rëndë dhe për pasojë parashikimin e veprave penale të korrupsionit dhe që lidhen me korrupsionin si kompetencë lëndore të hetimit dhe gjykimit nga Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda; 3- Trajtimin e aseteve kriminale të cilat burojnë nga veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me korrupsionin sipas ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.