Mblidhet KLD, Sokol Çomo zyrtarisht anëtar
Ndryshe nga mbledhja e parafundit e KLD ku tonet mes Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe anëtarëve të tjerë ishin mjaft të forta, në mbledhjen e radhës tonet mes tyre ishin më të moderuara. Lufta e mes dy institucioneve vazhdon të jetë e ndezur dhe mollë sherri mes tyre është gjykata administrative, plotësimi i vendeve vakantë për këtë gjykatë dhe i dy vendeve bosh në gjykatën e lartë. Anëtarët e KLD kanë kërkuar nga Ministri nëse është gati e gjithë infrastruktura për fillimin e punës. Ndërsa Ministri i shpreh se është koha për të plotësuar vendet vakante dhe jo të merremi me priza e çelësa.“Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe miratuar strukturat dhe organikat e reja të gjykatave të shkallës së parë dhe të apeleve, përfshirë edhe strukturat e 7 gjykatave administrative. Në përgatitjen e strukturave organike të reja janë mbajtur në konsideratë kriteret e përcaktuara në studimin e Ministrisë së Drejtësisë të vitit 2012 “ Mbi Reformën në Sistemin Gjyqësor për rishpërndarjen e numrit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit”. Në përputhje me përcaktimet e këtij studimi janë konsideruar këto kritere: Në gjykatat e shkallës së parë, numri i sekretareve gjyqësore është në raport 1:1 me numrin e gjyqtarëve, ndërsa në gjykatat e apeleve raporti është 3 gjyqtarë me 2 sekretare gjyqësore. Standardizimin e numrit të punonjësve të administratës gjyqësore në gjykatat ku numri i gjyqtarëve është i njëjtë. Zyrat Administrative të Gjykatave të Apeleve do të mbulojnë funksionet e zyrave administrative të gjykatave administrative të shkallës së parë, me përjashtim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila do të funksionojë me strukturë të plotë” tha Naço.Në fund të diskutimeve për këtë pike, foli edhe presidenti i Republikës Bujar Nishani,i cili dha sigurinë se kjo gjykatë do të fillojë punë në 4 nëntor pavarësisht pengasave që janë ngritur për funksionimin e saj shpesherë edhe politike.“Duke qenë që Gjykata Administrative është fondamentale dhe e rëndësishme për jetën e qytetarëve do desha që sot tu drejtohem qytetarëve: Në datën 4 nëntor nis funksionimi i Gjykatës Administrative. Në këtë proces qytetarëve shqiptarë u vihet në dispozicion ky shërbim kaq i pritur. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, ka pasur pengesa të ndryshme, shpesh herë edhe politike. Por dua të falenderoj ata që kanë kontribuuar për këtë proces. E vlerësoj punën që është bërë nga ish-ministri i Drejtësisë, edhe nga ministri aktual për punën e organizimit për nisjen e Gjykatës Administrative. Edhe ato vakanca që janë në disa gjykata, nuk e pengojnë nisjen e punës së këtyre gjykatave, pasi ne kemi mungesa edhe në gjykatat e tjera. Nuk kemi asnjë gjykatë të re administrative pa një trupë gjyqësore dhe sot do të emërojmë edhe drejtuesit e këtyre gjykatave. Sfida e KLD-së është të vazhdojë edhe me trajnimin e këtyre gjyqtarëve. Kemi bërë për herë të parë, emërimin e gjyqtarëve në këto gjykata vetëm në bazën e meritës. Dhe me këtë proces që kemi bërë në këtë gjykatë, duhet të dimë që emërimet bëhen vetëm në bazë të meritave.Sistemi ynë gjyqësor, sidomos ai i drejtësisë ka nevojë për reformë të nevojshme. Gjykata Administrative do të jetë një institucion që do të zgjidhë në mënyrë administrative çështjet mes personave fizikë dhe juridikë”, tha kreu i KLD-së, Bujar Nishani.Në mbledhjen e KLD ka marrë pjesë edhe Sokol Çomo si anëtari me i ri, pa debate këtë radhë.Në mbledhjen e parafundit Çomo nuk u lejua në mbledhje, pasi parlameti nuk kishte derguar dokumetacionin pranë KLD për kandidaturën e tij.