Rama i “dorëzon” Gjikën drejtësisë: Akuzat shumë të rënda, me fakte tejet të rënda

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si tepër të rënda akuzat e ngritura nga Prokuroria për kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika.Duke folur në mbledhjen e grupit, Rama theksoi se qeveria nuk do të bëhet mburojë e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion."Faktet e pretenduara nga Prokuroria janë tejet të rënda. Ne të gjithë ndihemi keq nga artikulimi i tyre dhe të gjithë duam të shpresojmë që akuza për një abuzim kaq skadaloz me detyrën nuk qëndron.  Por ne të gjithë ndihemi të detyruar karshi 1 milion shqiptarëve që na kanë zgjedhur edhe për të luftuar korrupsionin në çdo nivel dhe pa dallime partiake që sot të kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj pa asnjë pengesë politike” tha Rama.Kryeministri theksoi më tej se do të presë që drejtësia të thotë fjalën e fundit dhe jo politika. Ai shtoi se si mik do të jetë pranë Shpëtim Gjikës dhe familjes së tij por si kryeministër inkurajon drejtësinë të bëjë punën e saj."S`ka pikë dyshimi që dëshira jonë është ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar nga akuza e rënda dhe ne duam të shpresojmë që kryebashkiaku i Vlorës do të provojë pafajësinë e vet me argumenta dhe fakte të besueshme. Por nga ana tjetër duhet të jemi te qartë për të gjithë se ne nuk do të bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari nga prokuroria për korrupsion dhe abuzim me detyrën shtetërore, as sot as kurrë. Ne duam një Shqipëri të drejtë dhe të barabartë me këdo dhe për këdo.  Kjo vlen kur akuzohen kundërshtarët tanë politik por edhe kur akuza drejtohet nga ne, drejt njërit prej nesh. Prandaj si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës unë ndihem keq për të, dhe në çfarëdo situate unë do të jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij edhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë siç pretendon Prokuroria. Por si kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër i vendit unë mund ta inkurajojë prokurorinë dhe drejtësinë të bëjnë punën e tyre deri në fund dhe drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit" tha Rama.